Islami: KE duhet të kërkonte pezullimin e ligjit
PS gjykon se kryeministri dhe mazhoranca po përpiqet që nëpërmjet një ligji të tillë të godasë organet e drejtësisë,
TIRANË- Deklarata e djeshme e dy raporterëve të Këshillit të Europës Jako Lakso dhe David Uilshire për ligjin e "dosjeve" nuk ka lënë të kënaqur as socialistët. Por ndryshe nga demokratët, socialistët shprehen të zhgënjyer për vendimin e dy raporterëve për t'ia paraqitur ligjin për shqyrtim Komisionit të Venecias.
E vetëdijshme se një hap i tillë do ta zvarriste këtë çështje në pafundësi, Partia Socialiste me anë të sekretarit të saj për çështjet ligjore, Kastriot Islami nuk ka nguruar ta cilësojë vendimin e dy raporterëve për t'ia paraqitur për shqyrtim ligjin Komisionit të Venecias si demagogji.
Sipas tij, ajo që duhej të ndërmerrej si një hap i menjëhershëm është pezullimi i zbatimit të ligjit dhe për ti lënë mundësi më pas si Gjykatës Kushtetuese ashtu edhe Komisionit të Venecias që të jepnin vlerësimet e tyre për kushtetueshmërinë e ligjit.
"PSSH vlerëson demagogjike qëndrimin për të kërkuar asistencën e Komisionit të Venecias për implementimin e këtij ligji i cili dhunon qartazi parimet e KE dhe duhet të kalojë fillimisht përmes gjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
PSSH kërkon që të pezullohet zbatimi i ligjit, të lihet e qetë që Gjykata Kushtetuese të marrë vendimin për pezullimin e zbatimit dhe më tej të ftohet Komisioni i Venecias për të gjykuar përmbajtjen dhe përputhshmërinë e tij me Kushtetutën e Shqipërisë dhe parimet e KE", - tha Islami në një dalje të posaçme për shtyp menjëherë pas deklaratave të dy raporterëve të KE-së.
Në vijim edhe të qëndrimit të mëparshëm PS gjykon se kryeministri dhe mazhoranca po përpiqet që nëpërmjet një ligji të tillë të godasë organet e drejtësisë, dhe kryesisht prokurorinë e cila sipas socialistëve po arrin të luftojë me sukses korrupsionin qeveritar.