E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria dërgon "spiunë" në disa ambasada

Oficerët e kontaktit janë individë të specializuar në fushën e luftës kundër trafikut ndërkombëtarë

TIRANË- Qeveria shqiptare ka emëruar "spiunët" e vet në një sërë ambasadash të rëndësishme kryesisht në Europë. Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së djeshme Këshillit të Ministrave, sipas të cilit emërohen oficerët e kontaktit në Angli, Belgjikë, Itali, Greqi, Turqi dhe Kosovë.


Emërimet e mësipërme janë marrë mbi bazën e një vendimi të Këshillit të Ministrave të një viti më parë, sipas të cilit, Ministrisë së Brendshme i jepet e drejta të përfaqësohet me oficerë kontakti në disa vende të Europës.

Oficerët e kontaktit apo siç njihen ndryshe oficerë-operatorë janë individë të specializuar në fushën e luftës kundër trafikut ndërkombëtarë dhe do të veprojnë në ambasadat tona në këto vende, por duke qenë të varur direkt nga Ministria e Brendshme.

Siç bëhet e ditur edhe nga relacioni shpjegues i këtij vendimi, një hap i tillë është ndërmarrë nisur nga dinamika në rritje e punës operative që ka lindur nga zbatimi i marrëveshjeve ekzistuese me këto vende, por dhe nga komunikimet që janë vendosur me strukturat homologe.


Ky intensifikim i punës në këtë drejtim dhe emërimet e bëra parashikojnë të ndihmojnë më shumë në luftën kundër trafikut ndërkombëtar, krimit të organizuar, trafikut të armëve, emigracionit të paligjshëm apo edhe pastrimit të parave.


Gjithashtu e njëjta marrëdhënie pritet të vendoset edhe me një sërë shtetesh të tjera me të cilat kërkohet të ketë më shumë efikasitet në luftën kundër këtyre fenomeneve, si Gjermani, Angli, Francë, SHBA etj

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›