Topi-KE-së: Do jem garant i Kushtetutës
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi dje një takim me dy raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jako Lakso dhe David Uilshier.
Bashkëbiseduesit në këtë takim trajtuan tema aktuale e të rëndësishme të zhvillimeve në vend, duke u përqendruar kryesisht në ecurinë e reformave kyçe realizimi i së cilave është një nevojë dhe domosdoshmëri në procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Presidenti Topi bëri një panoramë të reformave dhe përpjekjeve të vazhdueshme e konsensuale në drejtim të përmirësimit të sistemit gjyqësor në vend, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe për përgatitjen dhe realizimin me sukses të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të lira, të pakontestuara dhe sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare. Presidenti Topi siguroi edhe një herë që si Kryetar i shtetit, do të vazhdojë të jetë: "garant i Kushtetutës, ligjeve në fuqi dhe ruajtjes së ekuilibrave politikë e shoqërorë, duke luajtur rolin si katalizator për konsolidimin dhe forcimin e institucioneve të pavarura kushtetuese në rrugën e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në familjen e madhe evropiane dhe strukturat euroatlantike".