Lista e kandidatëve dorëzohet 40 ditë para zgjedhjeve
Sipas Kodit Zgjedhor, partia politike që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend depoziton në KQZ listën shumëemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 40 ditë para ditës së zgjedhjeve. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidati për kryetar komune, apo bashkie, dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-në që mbulon njësinë e qeverisjes vendore, një kopje e listës dorëzohet në KQZ. Partia politike, pjesëtare e një koalicioni, depoziton në KQZ listën shumëemërore të kandidatëve të saj për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 40 ditë para ditës së zgjedhjeve. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, lista e kandidatëve regjistrohet në KZAZ. Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore, ose kandidati për këshillat e bashkisë dhe komunës, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie, apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish. Bëjnë përjashtim nga ky rregull kryetarët e partive politike që konkurrojnë veçmas, apo si pjesëtarë të një koalicioni, të cilët mund të kandidojnë në një apo më shumë zona zgjedhore për zgjedhjet në Kuvend. Emrat në listën e partisë paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Numri i kandidatëve në listën shumemërore të një partie të regjistruar si subjekt zgjedhore më vete, ose e koalicionit, nuk duhet të jetë më i vogël se sa numri i mandateve që do të zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse. Për partitë pjesëtare të koalicionit, numri i kandidatëve për partinë nuk duhet të jetë më i vogël se sa gjysma e mandateve që zgjidhen në zonën zgjedhore përkatëse. Për listat shumemërorë për këshillat e bashkisë dhe komunës zbatohet i njëjti rregull. Për çdo zonë zgjedhore të paktën tridhjetë për qind e listës shumemërore dhe/ose një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t‘i përkasë secilës gjini. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, një në çdo tre emra në listë duhet t‘i përkasë secilës gjini. Mospërmbushja e njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen në lidhje me përbërjen e listës shumemërore për zgjedhjet në Kuvend, sjell si rrjedhojë refuzimin e listës nga KQZ-ja. Mosrespektimi i kushtit të përcaktuar në pikën 5 të këtij neni për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, ndëshkohet sipas nenit 174 të Kodit.