E Diel, 1 Nëntor 2026

Blushi: PS ka aftësi vetëkorrigjuese, ajo u kthye majtas

Deputeti i PS-së, Ben Blushi bën analizën e Kongresit: “Sot (dje) u vendos që të mos ketë më bojkot, të mos ketë më politikë rruge, të kthehemi majtas, t’i shohim me më shumë solidaritet të varfrit e Shqipërisë”

TIRANË Një ndër politikanët më të njohur në PS, deputeti Ben Blushi ka qenë i heshtur gjatë punimeve të Kongresit të Partisë Socialiste. Ai nuk ka dhënë asnjë deklaratë brenda punimeve të Kongresit, ndërkohë që komentet e tij mbi mbarëvajtjen e organit më të lartë vendimmarrës të PS-së i ka dhënë në një intervistë për “Zërin e Amerikës”. Anëtari i kryesisë së PS-së, Ben Blushi tha se Kongresi i djeshëm e ktheu këtë parti tek qëndrimet e majta, duke braktisur dyzimet, bojkotet dhe politikën e rrugës. “Unë besoj se ky kongres përmbush përvojën që ka Partia Socialiste, dhe më gjerë se kaq, për një kthim tek idetë. Unë dhe shumë të tjerë prej shumë kohësh kemi thënë se ka një vakuum idesh brenda Partisë Socialiste, se ka aksion jo gjithmonë të mbështetur mbi ide. Ky kongres besoj që e mbush pritshmërinë dhe nevojën e shoqërisë shqiptare për një parti që ka ide, që ndan filozofinë e vet me filozofinë e kundërshtarit. Në përgjithësi dua të them që njerëzit kanë arsye të ikin nga ky kongres me mendimin se Partia Socialiste u kthye majtas, nuk është më as majta, as djathtas, as përtej së majtës, as përtej së djathtës”, - tha dje Blushi. Deputeti socialist theksoi se PS-ja është një parti e majtë, socialdemokrate, e orientuar nga tema themelore që ka Shqipëria sot; nevojën për të zbutur polarizimin social, për të luftuar korrupsionin dhe varfërinë. “Këto tema po trajtohen në sallën e Kongresit më në detaje për një mënyrë të re të administrimit ekonomik, një mënyrë të re të administrimit të shërbimeve, arsim, shëndetësi; për mënyrën se si duhet të taksohen dhe se si duhet të kontribuojnë shqiptarët. Këto janë disa parime të përgjithshme, të cilat deri në vitin 2013, shpresoj t’i japin më shumë oksigjen politikës shqiptare dhe Partisë Socialiste”, - tha ai. Blushi komentoi se me anë të këtij Kongresi, Partia Socialiste tregoi që ka një aftësi vetëkorrigjuese. “Pavarësisht që formalisht nuk është vendosur, sot në fakt u vendos që të mos ketë më bojkot, të mos ketë më politikë rruge, të kthehemi majtas, t’i shohim me më shumë solidaritet të varfrit e Shqipërisë, t’i shohim me më shumë realizëm të pasurit dhe të kemi në fund të fundit fytyrën tonë qeverisëse, e cila sigurisht nuk është përfundimtare”, - tha Blushi. Ai shprehu besimin se deri në vitin 2013, temat e programit do të debatohen. “Shqiptarët, në 2013-ën nuk kanë arsye dhe nuk do të duhet të kenë më arsye të votojnë në mes të dy gjërave të ngjashme, por duhet të votojnë midis dy gjërave të ndryshme, që është e majta dhe e djathta në Shqipëri. Ne po shkojmë drejt kësaj rruge. Shpresoj që gjatë rrugës nuk do të kemi kapriçio të tjera si ato që kemi pasur dy vitet e fundit; pra nuk do të dalim më në rrugë, nuk do të bëjmë më greva urie pa arsye, nuk do të shkojmë në bojkot, por do të merremi me një program, për të cilin Shqipëria ka nevojë, për një program sado modest që filloi të flitet sot”, - shtoi ai. Problemi më i madh që kanë sot shqiptarët, sipas Blushit, është varfëria. “Duhet të konkurrohet me ide, platforma, instrumente administrativë për të mundur varfërinë. Cila nga dy partitë e mëdha apo koalicionet e mëdha adreson më mirë çështjet e varfërisë, sigurisht ka arsye që të votohet më tepër. Pas 6 vitesh qeverisjeje, qeveria e Sali Berishës e ka të pamundur të vazhdojë, sepse nuk ka pasur sukses në luftën kundër varfërisë, nuk ka pasur sukses në luftën kundër korrupsionit. Besoj që garën e ardhshme elektorale këto dy përqasje do të konkurrojnë. Jam i bindur që kjo gjuhë që u përdor sot këtu në këtë kongres mund të gjenerojë më shumë vota për të majtën”, - tha ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›