Obama: Mirëpresim Shqipërinë dhe Kroacinë
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, ka hapur Samitin e NATO-s që zhvillohet në Gjermani dhe Francë, duke i uruar mirëseardhjen Shqipërisë dhe Kroacisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut. "Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin një mbrojtje të fortë evropiane, prandaj edhe kemi mirëpritur anëtarësimin e Kroacisë dhe të Shqipërisë në NATO", ka deklaruar Presidenti amerikan, Barak Obama. Samiti përkon edhe me 60-vjetorin e krijimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Dje, ceremonia e hapjes u bë në Gjermani, ndërsa sot, do të jetë Franca ajo që do të mbikëqyrë stafetën e punimeve. Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, do t‘u dorëzojë dy delegacioneve shqiptare dhe kroate kartën e anëtarit me të drejta të plota të NATO-s. Në mëngjes, kryeministrat e vendeve anëtare do të nisen nga toka gjermane të shoqëruar nga Kancelarja Angela Merkel, për t‘u pritur në urën që lidh Gjermaninë e Francën nga Presidenti francez Nikolas Sarkozi, një axhendë kjo që simbolizon paqen në Evropë mes dy vendeve. Punimet e Samitit, veç zgjerimit me dy anëtarë të rinj, do të përqendrohen në forcimin e Aleancës dhe sfidat e reja të saj. Presidenti Obama, në konferencën për shtyp me Presidentin Sarkozi dhe me Kancelaren Merkel, folën për përpjekjet e NATO-s për sigurinë në Afganistan.