E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi: Prova e parë, zgjedhjet brenda standardeve

Presidenti Bamir Topi ka rikonfirmuar besnikërinë dhe përgjegjshmërinë e vendit tonë për të përballuar sfidat dhe detyrimet që rrjedhin nga fakti i të qenit anëtar me të drejta të plota në Aleancën më të madhe dhe të rëndësishme të paqes e të sigurisë në botë. Gjatë punimeve të Samitit të 60 të NATO-s, Presidenti i Republikës ka marrë pjesë dhe ka folur në darkën e punës me kryetarët e shteteve ditën e djeshme, ku ka biseduar me personalitete të larta të politikës botërore, krerë shtetesh, si dhe të tjerë drejtues të lartë të organizmave ndërkombëtarë. "Shqipëria e vogël vjen në këtë Samit për të pohuar vendosmërinë e saj, se e meriton këtë anëtarësim. Ajo ka mbështetjen pothuajse të plotë të qytetarëve të saj, konsensusin e plotë politik e mediatik dhe përgjegjësinë për të përmbushur detyrimet në përballjen me sfidat e përbashkëta", ka thënë Presidenti. Sipas tij, ky anëtarësim do të ndihmojë zhvillimin e demokracisë së brendshme dhe reformat politike, ushtarake dhe ekonomike në Shqipëri, do të nxisë hapat e saj në integrimin e mëtejshëm euroatlantik. "Prova e parë do të jetë zhvillimi sipas standardeve i zgjedhjeve të ardhshme politike të qershorit 2009", ka theksuar Topi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›