Qosic, nën akuzë për urrejtje ndaj shqiptarëve
Komiteti i Juristëve për të Drejtat e Njeriut, "Yukom" dhe Komiteti i Helsinkit në Serbi kanë ngritur një padi kundër akademikut serb, Dobrica Qosic, për "nxitje të urrejtjes kombëtare, racore e fetare". Në padinë e këtyre organizatave ndodhet edhe një pjesë e tekstit nga libri i Qosic, "Koha e Gjarpërinjve - Shënime të shkrimtarit, 1999-2000" (Vreme Zmija - piscevi zapisi 1999-2000), ku për shqiptarët, akademiku famëkeq ka shkruar këto fjalë: "Ajo fundërrinë sociale, politike dhe morale e Ballkanit merr për aleate Amerikën dhe Bashkimin Evropian, për të luftuar kundër popullit më demokratik, më të civilizuar e më të kulturuar ballkanik, popullit serb". Në këtë mënyrë, sipas juristëve, Qosic ka kryer veprën penale të urrejtjes nacionale, racore dhe fetare, nga neni 317, pika 1, e ligjit penal të Republikës së Serbisë, si dhe veprën penale të diskriminimit racor, nga neni 387, pika 3, e ligjit penal të Republikës së Serbisë. Në vazhdim të padisë thuhet se, sipas Konventës Ndërkombëtare për Pezullimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor, të cilën e ka nënshkruar edhe Serbia (Gazeta Zyrtare e RSFJ - Kontratat Ndërkombëtare, nr. 6/67), shprehja diskriminim racor "ka të bëjë me çdo pabarazi, përjashtim, kufizim ose dhënie të përparësisë, që bazohet në racë, ngjyrë, paraardhës, prejardhje nacionale ose etnike dhe që ka si rezultat prishjen ose komprometimin e pranimit, posedimit ose ushtrimit - nën kushte të barabarta - të të drejtave dhe lirive elementare të njeriut në fushën e politikës, ekonomisë, socializimit dhe kulturës, ose në cilëndo fushë tjetër të jetës publike". Biljana Kovacevic-Vuco i deklaroi gazetës elektronike "e-Novine", se fjalia e Dobrica Qosic, për shkak të së cilës është ngritur kallëzimi penal, ndodhet në faqen 211 të librit dhe se ajo paraqet një dukuri të rrezikshme të thënë nga goja e njeriut që veten e prezanton si "baba i kombit" dhe ndaj së cilës deri tani nuk ka reaguar askush, edhe pse është cituar disa herë. "Ky është një fjalor par excellence dhe i drejtpërdrejtë i urrejtjes dhe një propagandim i idesë së supremacisë së një kombi ndaj një tjetri. Në këtë rast të atij serb ndaj atij shqiptar", theksoi përfaqësuesja e Komitetit të Juristëve për të Drejtat e Njeriut, duke shtuar se Qosic, megjithatë, nuk është paditur edhe për ideologji. Komitet i Juristëve për të Drejtat e Njeriut dhe Këshilli i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi kërkojnë nga prokurori i qarkut që, në përputhje me kompetencat që ai ka, kundër Dobrica Qosic të iniciojë kallëzim penal, për shkak të kryerjes së veprave të përmendura, theksohet në fund të kumtesës së këtyre dy organizatave, të cilat janë nënshkruar nga Biljana Kovacevic-Vuco dhe Sonja Biserko.