E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protokolli i Samitit, Topi në ceremoni pa Berishën

Nis zyrtarisht Samiti i NATO-s. Darka e mbajtur në Baden-Baden në Gjermani ka çelur takimin e 28 aleatëve në nivelin e shefave të shteteve. Presidenti Bamir Topi, së bashku me ministrat Gazmend Oketa dhe Lulzim Basha, kanë marrë pjesë dje në ceremoninë e hapjes së Samitit të NATO-s në Baden-Baden në Gjermani. Pjesa tjetër e këtij delegacioni, Kryeministri Sali Berisha, kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe kryetarët e grupeve parlamentare, Astrit Patozi dhe Valentina Leskaj, kanë qëndruar në hotel në Strasburg. E gjithë kjo ka qenë pjesë e protokollit, ku ishte specifikuar se në ceremoninë e hapjes duhej të merrte pjesë vetëm kryetari i delegacionit. Kreu i shtetit shqiptar, Bamir Topi, si shef i delegacionit shqiptar, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Teuta Topi, janë takuar me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, gjatë pritjes së dhënë nga Kancelarja gjermane Angela Merkel. Presidenti Topi e përgëzoi dhe një herë Presidentin amerikan Obama për fitoren në zgjedhjet e nëntorit dhe i shprehu falenderimet për mbështetjen e vazhdueshme. Presidenti Obama e uroi Kryetarin e Shtetit për anëtarësimin e vendit tonë në NATO, duke u bërë tashmë edhe ‘de jure‘ aleate dhe partnere strategjike në Aleancë. Një tjetër takim ishte ai me kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe Presidentin e Francës, Nikolas Sarkozi. Qëndrimi i Kryeministrit Berisha në hotel ka bërë që ai të humbasë edhe darkën e shtruar nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel. Në darkë ishin të pranishëm vetëm Presidenti Bamir Topi, bashkëshortja e tij dhe dy ministrat Basha dhe Oketa. Sot, Presidenti i SHBA-së, Barak Obama, do të japë zyrtarisht kartat për Shqipërinë dhe Kroacinë për të qenë anëtare me të drejta të plota në NATO. Kryetarët e shteteve anëtare të NATO-s mbërritën në Kurhauss, në Baden Baden të Gjermanisë, në ceremoninë e hapjes së Samitit të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Dita e parë e këtij Samiti ka krijuar mundësinë e delegacioneve shqiptare dhe kroate të njihen dhe takohen me përfaqësues ndërkombëtarë. Delegacioni shqiptar u nis drejt Baden-Baden në ceremoninë e mirëseardhjes në pasditen e djeshme, rreth orës 17.30. Mëngjesin e sotëm, Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha do të jenë ulur afër njëri-tjetrit, ndërkohë që Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, do të jetë e pranishme në sallë, por larg krerëve të shtetit shqiptar, të cilët do të mbajnë edhe një fjalim. Në orët e para të mëngjesit të sotëm fillon ceremonia e kalimit të urës mbi lumin Rehn, takimi i liderëve me Kancelaren Angela Merkel dhe më pas me Presidentin Nikolas Sarkozi. Më pas, nisja për në Pallatin e Kongreseve, fillimi i seancës plenare NA, përshëndetje me personalitetet më të larta të vendit dhe fjala përshëndetëse e Schefer, Merkel, Sarkozi. Nga ora 13.00 deri në 15.00 axhenda parashikon një konferencë të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jap de Hop Schefer. Delegacioni shqiptar dhe ai i Kroacisë do të kenë mundësi të zhvillojnë foto dhe takime me liderë që marrin pjesë në këtë Samit. Pas fjalës së sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Kryeministri Sali Berisha do të zhvillojë një konferencë për shtyp rreth orës 15.00-16.00.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›