E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Letra për Glover, Ristani ka shkelur rëndë Kodin Zgjedhor

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, ka shkelur rëndë Kodin Zgjedhor. Kështu u shpreh dje sekretari për çështjet zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami. Në një deklaratë për shtyp, deputeti Islami theksoi se letra që kryetari i KQZ-së, Ristani, i ka dërguar ODHIR-it, ku shpreh rezerva për kryetaren e këtij misioni në vendin tonë, është kapërcim i kompetencave të KQZ-së dhe shkelje e vendimeve të saj. "Pasi vetë KQZ, me vendim ka miratuar akreditimin e zonjës Glover si drejtuese e ekipit të vëzhgimit të KQZ", u shpreh Islami. Sipas drejtuesit socialist, "letra e dërguar nga kryetari Ristani në emër të KQZ për misionin e ODIHR, demonstron qartë qëndrimin e njëanshëm dhe partiak të kryetarit të KQZ dhe të një personi tërësisht nën tutelën e kryetarit të PD Berisha". Veprimi i tij naiv e infantil dhe mbi të gjitha i kundërligjshëm është i dënueshëm", u shpreh Islami. Në vlerësimin e sekretarit të çështjeve zgjedhore në PS, kjo sjellje e kryetarit të KQZ-së ka cenuar shumë rëndë pavarësinë e funksionalitetin e këtij institucioni, i cili ka një mision madhor e deri historik për të administruar për herë të parë në këtë vend anëtar të NATO-s zgjedhje në përputhje të plotë me standardet demokratike. Selia rozë mendon se kjo sjellje përbën një provokim ndaj misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë, veçanërisht ndaj kryetares Glover, por edhe ndaj OSBE/ODIHR-it duke synuar pengimin e vëzhgimit të zgjedhjeve dhe ripërsëritjen e mashtrimit të madh elektoral të vitit 1996. "Ndaj, kjo sjellje meriton jo vetëm denoncim politik, por dënim, sepse nëse vazhdohet kështu, ky organ nuk do të mund të ishte më një institucion garant për zhvillimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme", theksoi Islami. Më tej, sekretari i zgjedhjeve në PS-së u ndal te problemi i dytë që shqetëson opozitën, pajisja e shtetasve me karta identiteti. Islami tha se, kur kanë mbetur vetëm 30 ditë nga momenti kur do të mund të aplikohej për t‘u pajisur me letërnjoftime, në funksion të pjesëmarrjes në zgjedhjet e 28 qershorit, situata duket jo premtuese. "Standardi i identifikimit të votuesve ka shumë gjasa të shfaqet i cenuar disa javë para fillimit të zgjedhjeve", u shpreh Islami. Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, në një komunikim me mediat, theksoi se kjo ministri vazhdimisht ka publikuar dhe publikon shifrat e deritanishme të qytetarëve që kanë aplikuar. Sipas tij, deri më tani kanë aplikuar rreth 900 mijë qytetarë, 370 mijë prej të cilëve, nuk disponojnë pasaportë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›