E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, KQZ regjistron katër koalicione

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi dje me unanimitet katër koalicionet zgjedhore që do të garojnë më 28 qershor. Grupimet që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit janë "Aleanca e Ndryshimit", "Bashkimi për Ndryshim", "Aleanca Socialiste për Integrim" dhe "Poli i Lirisë". Në koalicionin e parë "Aleanca për Ndryshim" bëjnë pjesë 17 parti politike, të cilat kryesohen nga PD-ja dhe pjesë të saj janë PR-ja, PAA-ja, PAD-ja, Partia Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet. Bashkë me demokratët rreshtohen edhe PBLD, Partia për Drejtësi dhe Integrim, Partia Lidhja Demokristiane Shqiptare, PLL, PBDK, PBK, Partia Aleanca e Maqedonasve për Integrim Evropian, Partia Demokracia e Re Evropiane, Partia Forca Albania, Partia e të Drejtave të Mohuara - e Re, Partia Rruga e Vërtetë Shqiptare, si dhe Partia Ora e Shqipërisë. Në koalicionin e dytë zgjedhor "Bashkimi për Ndryshim" bëjnë pjesë pesë subjekte politike, të cilat kryesohen nga PS dhe në përbërje është edhe PSD, PBDNJ, PDS dhe G99. Në koalicionin e tretë "Poli i Lirisë" janë regjistruar gjashtë parti politike të kryesuara nga PDK. Pas saj vijnë LZHK, Partia Bashkimi Demokrat, Partia Konservatore, Partia Rruga e Lirisë dhe Partia e Reformave Demokratike. Në koalicionin "Aleanca Socialiste për Integrim" janë regjistruar katër parti politike, të kryesuara nga LSI, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia Lëvizja për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut, Partia Socialiste e Vërtet 91, Partia e Gjelbër, Partia për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve, Partia Toleranca e Re e Shqipërisë. Po dje, me unanimitet të plotë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar edhe 124 vëzhguesit e Komisionit Shqiptar të Komitetit të Helsinkit, të cilët do të monitorojnë zgjedhjet më 28 qershor. Dy ditë më parë, institucioni i menaxhimit të zgjedhjeve regjistroi 39 vëzhgues afatgjatë të ODIHR-it. Pesë prej tyre vijnë nga Anglia, mes tyre edhe Glover të ndjekur nga përfaqësuesit nga Gjermania, SHBA e Zvicra. Misioni vëzhgues i OSBE/ODIHR, që kryesohet nga ambasadorja britanike, Audrey Glover, mbërriti në Tiranë në fillim të javës së kaluar dhe menjëherë nisën kontaktet me qeverinë dhe forcat politike shqiptare. Misioni u ftua nga Ministria e Jashtme dhe emri i përzgjedhur nga strukturat drejtuese të ODIHR-it në Varshavë ka hasur në kontestimet e hapura të qeverisë shqiptare. Glover nuk u prit në takim nga Kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë i nisi një letër OSBE-ODIHR-it ku shprehej pakënaqësia për zonjën Glover, për shkak të prezencës së saj në Shqipëri në zgjedhjet e kontestuara të vitit 1996.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›