Zgjedhjet, Berisha "tregon" strategjinë për vëzhguesit
Vizita e presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares, i cili u takua me krerët e lartë të institucioneve dhe politikës shqiptare, nxori në sipërfaqe edhe strategjinë më të fundit të qeverisë që lidhet me ardhjen e vëzhguesve të tjerë në Shqipëri për zgjedhjet e 28 qershorit. Ashtu siç paralajmëroi "Shqip" një ditë më parë, shefi i qeverisë shqiptare kërkon të "dublojë" misionin e ODIHR-it në pamundësi për ta larguar nga Shqipëria. Presidenti Soares bëri me dije se Asambleja Parlamentare do të dërgojë së shpejti në Shqipëri misionin e saj të vëzhgimit. Mesazhi duket i qartë, se përkrah shefes së ODIHR-it në Shqipëri, Audrey Glover, pritet të mbërrijë një mision tjetër për monitorimin e zgjedhjeve. Ajo që vlen të theksohet është fakti se raportin përfundimtar për ecurinë e zgjedhjeve në Shqipëri ka të drejtë ta hartojë vetëm shefja e ODIHR-it, Audrey Glover. Në takimin e djeshëm me Kryeministrin Sali Berisha, presidenti Soares i premtoi atij se do të dërgojë sa më shumë vëzhgues në Tiranë dhe sipas zyrës së shtypit në Kryeministri ai tha se "Asambleja Parlamentare e OSBE-së është organi kompetent, i cili do të bëjë vlerësimin përfundimtar të zgjedhjeve". Në këtë kontekst, presidenti Soares shprehu sigurinë e tij se me këtë infrastrukturë dhe kuadrin e ri ligjor e institucional, Shqipëria pritet të realizojë zgjedhje të lira e transparente. "Të cilat, më mirë se kushdo tjetër, do t‘i vlerësonin përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të cilët vetë janë të zgjedhur dhe kanë përvojën më të drejtpërdrejtë me proceset zgjedhore", citohet në njoftimin e qeverisë, zoti Soares. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së u takua dje edhe me shefin e opozitës, Edi Rama, i cili i ka shprehur shqetësimet për procesin përgatitor të zgjedhjeve të 28 qershorit. Në vazhdimësi të vizitës së tij, presidenti Soares u takua edhe me kreun e shtetit, Bamir Topi, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, dhe ministrin e Jashtëm, Lulzim Basha. Duke u ndalur te zgjedhjet e ardhshme parlamentare në vend, ministri Basha e informoi për reformën zgjedhore dhe masat e marra nga qeveria e Shqipërisë për përfundimin e infrastrukturës së nevojshme elektorale. Delegacioni parlamentar i OSBE-së vlerësoi masat e ndërmarra në këtë kuadër, duke i përshëndetur si një shenjë e angazhimit të palëkundur të institucioneve të Shqipërisë për të organizuar zgjedhje të standardeve ndërkombëtare. Nga ana e tij, Soares i vlerësoi hapat e qeverisë si arritje të padiskutueshme të Shqipërisë në planin ndërkombëtar dhe siguroi se përpjekjet e mëtejshme për t‘u integruar në Bashkimin Evropian do të gëzojnë mbështetjen e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së. Në vijim të takimit, delegacioni vlerësoi rolin moderues dhe konstruktiv të Shqipërisë në rajon dhe kërkoi mbështetjen e saj për ecurinë e Ballkanit Perëndimor drejt proceseve integruese në strukturat euroatlantike.