"Angazhim në çdo zonë për të siguruar votat"
Partia Republikane mblodhi dje Asamblenë e saj ku u caktuan objektivat kryesore për fushatën elektorale. Krerët e lartë të PR-së, Sabri Godo dhe Fatmir Mediu, u bënë thirrje të gjithë mbështetësve të kësaj force politike që të luftojnë fort për çdo votë në zonat ku janë caktuar për të punuar. Sakaq, ata paralajmëruan se kjo mund të çojë edhe në përballje me demokratët. Godo deklaroi se "ne do të mbrojmë idetë dhe politikën tonë. Burrërisht, mund të kemi atakime nga të tjerët, se thonë na i morën votat këta. Pjetër Arbnori, ndjesë pastë, thoshte se e keqja ne na vjen nga republikanet, se këta na i marrin votat. Dhe ekziston ky mentalitet në PD se duan çdo gjë për vete, po dhe ne duam çdo gjë për vete, kështu që jemi baras nga kjo anë". Duke vënë theksin te pronat, Godo nënvizoi se ne do ta mbrojmë atë dhe do kërkojmë zgjidhjen përfundimtare në mandatin e ardhshëm. Po kështu është shprehur edhe kryetari i PR-së Mediu, i cili ka premtuar mbështetje për ish-pronarët dhe ish të përndjekurit.