E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Modeli Edi-Koço sekt klientelist, në 23 qershor do dalë më i nxirë seç është

TIRANE - Deputeti Kastriot Islami sulmoi kandidatin e PS-së, Koço Kokëdhima, në përgjigje të akuzave që ky i fundit lëshoi në drejtim të tij, në një emision televiziv mbrëmjen e së enjtes.

Në një konferencë për shtyp nga Kryesia e Kuvendit, Islami tha se kryetari i opozitës Edi Rama dhe biznesmeni Kokëdhima kanë krijuar brenda PS-së një sekt klientelist.

“Mbrëmë mentori i Edi Ramës, Koço Kokëdhima sulmoi të gjithë socialistët e ndershëm që punuan për vite me radhë dhe asnjëherë nuk u korruptuan dhe nuk përfituan fonde publike apo ndere nga ish-kryetari i bashkise dhe kryetari i PS-së. Mbrëmë Kokëdhima e filloi sulmin e tij me liderin historik të PS-së, Fatos Nano, për të vijuar me një nga figurat kryesore të PS-së Arben Malaj dhe kaloi më pas tek unë e gazetarë si Mustafa Nano. Të majtët panë mbrëme me zë dhe figurë urrejtjen patologjike të liderit shpirtëror të Edi Ramës për PS-në dhe dashurinë e tij për omgj-në mavi brenda kësaj partie.”- u shpreh Islami.

Ish-deputeti socialist, që tashmë renditet në listën e kandidatëve të PD-së, akuzoi biznesmenin Kokëdhima për përfitimin e 19 milionë lekëve tendera, gjatë kohës që Rama ishte në krye të Bashkisë së Tiranës.

“Kush nga socialistët e thjeshtë ka marrë qoftë edhe një tender të vogël nga Edi Rama, askush, sepse të gjithë tenderat i ka marrë Koçua, edhe ato të mëdhatë 1 miliardëshe dhe ato të voglat 1 milionëshe.”- vijoi ai.

Sipas Islamit, “në 2011-ën modeli Edi- Koco doli nga Tirana, doli nga dera, në 23 qershor nuk do të mund të futet nga dritarja. Ndoshta do të tentojë të futet nga oxhaku, por do të dalë më i nxirë seç është”.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›