E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Standardet nuk janë përmbushur

 

Aristir Lumezi

“Raporti thekson se nuk janë përmbushur standardet dhe ne kërkojmë zbardhjen e procesit të errët të numërimit të votave”. Kryetari në detyrë i Partisë Socialiste Edi Rama u shpreh dje se raporti i OSBE-ODIHR, denoncoi ashtu si PS se u cenuan standardet në procesin zgjedhor të 28 qershorit. “Në të gjithë ecurinë e leximit të raportit, shprehet qartësisht ky cenim i standardeve, duke filluar nga njëherësimi i shtetit me pushtetin, nga kërcënimi i administratës, mbi të gjitha tek procesi i keq dhe shumë i keq i numërimit të votave”, u shpreh Rama në një konferencë për shtyp dje pasdite ne selinë rozë. Duke vënë theksin tek procesi i numërimit të votave, që sipas Ramës ishte më i keqi në historinë e zgjedhjeve, Rama shtoi se aty fshihet ndryshimi i madh. “Ne sot ripërsërisim, edhe bazuar në raportin e ndërkombëtarëve se qëndrimi jonë i kushtëzuar është rruga ku kalon transparenca e domosdoshme për gjithçka ka mbetur e errët, dhe gjithçka fshihet në ato kuti e materiale zgjedhore, që janë pjesë e konstatimit se në 1/3 e qendrave është numëruar keq e shumë keq”. Në këtë kuadër Rama ripërsëriti kërkesën për hapjen e kutive të votimit. “Raporti thekson qartë se nuk janë përmbushur standardet dhe ne kërkojmë zbardhjen atij procesi të errët të numërimit të votave. Gjithçka zbardhet nëse hapen kutitë”.
“Ne dëshirojmë që të kuptohet qartë, nga të gjithë, se kushtëzimi i marrëdhënies sonë me Parlamentin, ka të bëjë me disa aspekte esenciale, jo thjesht për zgjedhjet që shkuan, por për zgjedhjet që vijnë, për cilësinë e demokracisë në Shqipëri, për garancinë që duhet të ketë çdo qytetarë e qytetare, çdo zgjedhës e zgjedhëse në një proces realisht demokratik, ku nuk mundet që vullneti i popullit të deformohet përmes gjithë atyre mekanizmave të një procesi që është i mirë përshkruar në analizën e imët që bën raporti i OSBE-ODIHR”, u shpreh Rama në komentin e tij për raportin e vëzhguesve të zgjedhjeve. Sipas Ramës, raporti i vëzhguesve të OSBE-ODIHR jep alarmin e cenimit të demokracisë dhe zgjedhjeve në Shqipëri. “Ne konsiderojmë bazuar pikërisht tek ky raport, se gjendja e demokracisë në Shqipëri është kritike dhe se zgjedhjet e 28 qershorit, nuk i përmbushën ato standarde për të cilat ne socialistët u përpoqëm gjatë gjithë periudhës përgatitore, që i parapriu zgjedhjeve dhe të cilat qytetarët e qytetaret e këtij vendi meritojnë. Madje, ne gjejmë në këtë raport një vlerësim konfirmues për analizat dhe qëndrimet tona lidhur me zgjedhjet e 28 qershorit dhe për ne, ky raport është një kambanë alarmi për gjendjen e zgjedhjeve në Shqipëri”, u shpreh Rama. Kryetari socialist në detyrë këmbënguli në kërkesën për zbardhjen e rezultatit në disa kuti votimi. “Përderisa është konstatuar nga monitorët e paanshëm, se numërimi në 22 qendra, pra në 1/3 e qendrave është bërë keq dhe shumë keq, kjo është e mjaftueshme për të bërë transparencë dhe është në interesin e të gjithëve. Interesi ynë nuk është ndryshimi i pushtetit në tavolinë. Interesi ynë është garantimi i procesit elektoral një herë e mirë dhe çlirimi i procesit elektoral një herë e mirë nga gjithë këto cenime që kanë të bëjnë në fakt me një mekanizëm të vetëm, që është mekanizimi i deformimit të vullnetit të qytetarëve përmes mekanizmave dhe fuqisë së shtetit”, u shpreh Rama. Reagimi i Ramës u artikulua dje, një ditë pas publikimit të raportit të OSBE-ODIHR për zgjedhjet e 28 qershorit. OSBE/ODIHR publikoi dje raportin për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Në raport thuhej që zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 shënuan një progres të dukshëm, por që shumë standarde nuk u plotësuan. PS ka bojkotuar pjesëmarrjen në Parlament, pasi e konsideron procesin zgjedhor jodemokratik dhe që shkeli të drejtën e votës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›