Islami: “Ok” me serbët, trafiku i organeve në OKB
Ish-ministri i Jashtëm, Kastriot Islami deklaron se “Ndërkombëtarët do t’i japin një shans të mirë Shqipërisë për të sqaruar botën për pavërtetësinë e këtyre pretendimeve të Serbisë”
TIRANE- Kalimi i çështjes së “trafikut të organeve” në OKB dhe në Këshillin e Europës, është mirëpritur nga ish-shefi i diplomacisë shqiptare, Kastriot Islami. Në një prononcim për mediat, ai mendon se institucionet ndërkombëtare duke vepruar juridikisht ndaj kërkesës serbe, “do t’i japin një shans të mirë Shqipërisë për të sqaruar njëherë e mirë botën për pavërtetësinë e këtyre pretendimeve të Serbisë”, - shprehet ai. Sipas Islamit, deklaratat e prokurorit serb për Krimet e Luftës, Vladimir Vukçeviç se Beogradi do ta kalojë çështjen në OKB dhe Këshillin e Europës, pas refuzimit që kryeprokurorja Ina Rama i bëri kërkesës për hetim homologut të saj, “janë thjesht një kërcënim që nuk ka pse të frikësojë palën shqiptare”. Ai komenton edhe vullnetin e Beogradit zyrtar për të hetuar akuzat e ngritura nga Karla del Ponte në librin saj “Gjuetia”, “për rrëmbimin e 300 serbëve të Kosovës dhe dërgimin e tyre në një klinikë të improvizuar në fshatin Gurrë të rrethit të Matit, ku u hiqeshin organet, që më pas trafikoheshin”. Përmasat që kanë marrë në Serbi pretendimet e Del Pontes, ai i konsideron si “skenarë politikë serbë të fryrë qëllimisht”.
Padia
Serbia njoftoi fillimin e një beteje ligjore me Shqipërinë, fill pasi kryeprokurorja Ina Rama refuzoi kërkesën serbe për të hetuar pretendimet e ngritura në librin “Gjuetia” të ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte. “Bota duhet të dijë se çfarë ndodhi në veri të Shqipërisë. Serbia do të dërgojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe në Këshillin e Europës”, - sqaroi në një prononcim për mediat serbe, prokurori për Krimet e Luftës, Vladimir Vukçeviç. Brenda të njëjtit kontekst, Vukçeviç akuzoi drejtpërdrejt shefin e qeverisë shqiptare, Sali Berishën, për pengimin e hetimeve të çështjes në fjalë. Ai shkoi më tej, duke pretenduar se Berisha e kishte marrë këtë urdhër nën presionin e ish-kryeministrit kosovar, Ramush Haradinaj, njëherësh ish-komandant i UÇK-së.
Reagimi
Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar menjëherë pas akuzave të Vukçeviç. Zëdhënësja e organit të akuzës, Holta Zhiti bëri me dije se ky refuzim për hetime është në përputhje të plotë me normat ligjore të shtetit shqiptar. “Refuzimi për hetime serbe nuk ka qenë një veprim i nxituar, por një vendim në përputhje me ligjin”, - sqaroi ajo.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)