E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, Metropoliti Radoviç kërkon 10 mijë varret serbe

Nga Brikena Shllaku
 

SHKODER- Metropoliti i kishës orto-dokse serbe në Mal të Zi, Amfollihije Radoviç, i njohur si një ndër kundërshtarët e prerë të pavarësisë së Kosovës ishte dje në zonën e Vrakës, duke kërkuar ndërtimin e varreve për të vrarët serb. Ai ka vizituar të shtunën objektet e kultit dhe varrezat e ushtarëve serbë të rënë gjatë luftërave ballkanike dhe pushtimit malazez të Shkodrës. Radoviç ka vizituar kishën e Vrakës dhe atë të Rrushkullit, themelet e së cilës i përkasin shekullit te IX-të. Kjo kishë është katolike e njëjte me atë të Laçit për sa i përket riteve të pelegrinazhit. Me pas, vizita e Amfillohije vijoi ne Bardhaj, rreze Liqenit te Shtodrit, ku sipas tij ndodhen të groposur trupat e rreth 10.000 ushtarëve serbe të rënë gjatë viteve 1912-1914.
METROPOLITI
Metropoliti i kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, Amfollihije Radovic ka pohuar: "Ne jemi pelegrinë dhe kemi ardhur të vizitojmë vendet e shenjta që datojnë që nga kohërat e Apostujve të Krishtit. Kemi vizituar kishën në Rrashkulle, e shekullit të IX, themelet e së cilës i përkasin kristianizmit të hershëm. Më pas, kemi ardhur për të vizituar, varrezat e ushtarëve serbë të rënë gjatë luftës ballkanike, të cilët luftuan kundër pushtuesit osman. Këta ushtarë së bashku me të tjerë, kanë sakrifikuar veten për çlirimin e Shqipërisë. Këtu në Bardhaj, kanë rënë më se 10 mijë ushtarë serb. Unë do doja të thosha edhe diçka tjetër, se ata kanë rënë në kohën kur Shqipëria shpalli pavarësinë, në atë moment vendimtar historik për lirinë e vendit. E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 1941, kur serbe dhe shqiptarë së bashku, në këto vende, luftuan kundër pushtuesit nazifashist. Është koha që të kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën në rininë e tyre, pasi ata kanë qenë kryesisht djem të rinj".
KUNDËRSHTIMI
I pyetur se a do kërkonin nga qeveria shqiptare të riparojë varrezat e serbëve dhe malazezeve në të gjithë Shqipërinë, dhe t'i trajtojë si varreza publike, ai u përgjigj: "Kjo do duhet të bëhej. Unë kujtoj se në mes dy luftërave kanë qenë të identifikuara të gjitha varrezat e serbeve në Shqipëri, dhe ka qenë një prift serb i cili i ka vizituar ato gjatë periudhës së sundimit të mbretit Zog. Pastaj erdhi Lufta e Dytë Botërore, gjatë së cilës u shkatërruan plotësisht. Megjithatë, varrezat janë të shenjta, pa marrë parasysh se cilës kohe dhe fe (besimi) i takojnë. Duke pasur parasysh shenjtërinë e tyre, Mali i Zi ka filluar të bëjë identifikimin e varreve të okupatoreve si italianë, gjermane etj. Varri është i shenjte, dhe nuk ka armiqësi, pasi dheu i pajton te gjithë. Brenda ne secilin varr, ndodhet një person që ka lënë eshtrat e vet dhe shteti i Malit te Zi duhet te kujdeset për identifikimin e te gjithë të rënëve nëpër botë", - ka pohuar ai. Pas varrezave në Bardhaj, Amfillohej, përgjegjësi i kishës ortodokse te Shkodrës, At Nikolla Petani, famullitari i kishës së Vrakës, Radojca Nikqevic vizituan edhe Malin e Taraboshit për të kujtuar ushtarët malazeze të rënë gjatë pushtimit të Shkodrës.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›