Islami: PS duhet të ishte sot në Bruksel
“Rama me qëndrimet e tij, të cilat po ia imponon PS-së, po krijon përshtypjen te shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë se është kundër fitimit të statusit të vendit kandidat për në BE” .
Nesër zhvillohet takimi BE-Shqipëri në Bruksel, ku është ftuar edhe Ermelinda Meksi, si kryetare e Komisionit të Integrimit nga opozita, për të qenë së bashku me Majlinda Bregun dhe Edmond Haxhinaston, por mesa duket znj. Meksi do të mungoje në këtë takim. Cili është qëndrimi dhe komenti juaj?
Opozita po gabon përsëri, duke munguar jo vetëm në Parlamentin shqiptar, por edhe në takime rëndësishme ku bëhet fjalë për integrimin e Shqipërisë në BE. Opozita, pa asnjë arsye apo argument serioz, u jep mesazh negativ partnerëve ndërkombëtarë, duke dëmtuar interesat e vendit dhe rëndshëm imazhin e PS-së.
Argumenti që vjen nga PS-ja ka të bëjë me bojkotin e Kuvendit dhe në këtë kontekst as zonja Meksi nuk mund të bëjë përjashtim duke dalë nga qëndrimi i grupit?
Do të kishte qenë krejtësisht ndryshe nëse shumë ish-kryeministra, ish-ministra të Jashtëm dhe ish-ministra të Integrimit gjatë qeverisjeve të PS-së do të kishin ngritur zërin kundër kësaj sjelljeje bojkotuese të PS-së, mospjesëmarrjes në takimet në Bruksel por edhe të ngjarjes së turpshme me Tanja Fajon. Të gjithë këta ish-kolegë kanë luftuar me vetëmohim kundër bojkotove të PD-së dhe frenimit të procesit të integrimit të Shqipërisë për tetë vjet dhe tani ose heshtin ose janë kthyer (pa shumë dashje ) në mbështetës të zellshëm të qëndrimeve absurde të Ramës. Do të ishte e pajustifikueshme për një ish- ministre të Integrimit apo të Jashtëm që të vendoste disiplinën e partisë mbi interesat e vendit, aq më tepër që bëhet fjalë për një qëndrim absurd, ndërkohë që përfaqësuesit e opozitës edhe kur grupi parlamentar ka bojkotuar seancat, kanë marrë pjesë në aktivitetet e delegacioneve të Kuvendit. Do të ishte shumë më serioze e dinjitoze që opozita të ishte prezente në takimin e Brukselit dhe atje me elegancë, maturi e seriozitet të paraqiste qëndrimin e opozitës për të gjitha çështjet, përfshi edhe ato që kanë të bëjnë me zgjedhjet e fundit.
Dhe “argumenti” i dhënë me shkrim, se “nuk mund të jem në një delegacion me ekzekutivin, se është konflikt interesi meqë përfaqësoj Kuvendin”, si ju duket?
Veçse më bën për të qeshur... sepse është argument absurd, që askush nuk do ta “hante”. Kjo është një “shpikje” alla Rama, që do ishte mirë të mos thuhej në publik, se do të ishte e turpshme po të insistohej të konsiderohej argument serioz. Nuk po e zgjas se ndihem keq, sinqerisht, kur partia ku kam kontribuar për 20 vjet shkruan të tilla mbroçkulla...
Si do të pritej një qëndrim i tillë i opozitës në Bruksel?
Askush në Bruksel nuk e kupton dhe as mirëkupton qëndrimin e opozitës. Mesazhet e Uashingtonit dhe të Brukselit këto ditë kanë qenë të qarta dhe direkte, ndërkohë që opozita vazhdon t’u qëndrojë me kokëfortësi qëndrimeve të saj bojkotuese. Të deklarosh se do të kthehemi në shtator përmes një retorike hermetike dhe pa dhënë asnjë shpjegim, nuk është serioze dhe askush nuk e kupton; të gjithë e kuptojnë se qëndrimi i Ramës mund të mos jetë i sinqertë dhe kanë dyshime të mëdha se opozita do të kthehet në Kuvend, aq më tepër që Rama kërkon që dialogu të bëhet me prezencë ndërkombëtare (Kantrimen u shpreh shumë qartë edhe për këtë çështje), pasi ata të vendosin në raportin e zgjedhjeve opinionin e Ramës për zgjedhjet, gjë që është e pamundur. Rama me qëndrimin për të mos vajtur në Bruksel veçse shton dyshimet e partnerëve ndërkombëtarë lidhur me angazhimin e PS-së për fitimin e statusit të vendit kandidat në BE.
Nga ana tjetër, ftesa për përfaqësim të përbashkët në takimin e Brukselit mund të konsiderohet edhe si një kurth politik nga mazhoranca, që me këtë rast del bashkëpunuese përballë ndërkombëtarëve?
Kjo mënyrë të menduari do të ishte shumë naive dhe politikisht dritëshkurtër; opozita në Kuvendin e Shqipërisë është për interesat e shqiptarëve dhe në Bruksel duhet të jetë kurdoherë prezente për interesat integruese të Shqipërisë. Qëndrimet ndaj zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës janë shumë të vogla përballë interesave madhore të shqiptarëve dhe integrimit të Shqipërisë në BE. Por edhe sikur Rama ta shikonte çështjen në aspektin pragmatik, apo të këtij lloj konkurrimi me PD-në (që përsëris është naivitet), atëherë mund të bëhej pyetja përse PS-ja nuk e mori e para nismën, qoftë për t’i nisur letrën Patozit, apo për t’i kërkuar Kryeministrit që opozita të bëhej pjesë e delegacionit të Shqipërisë në Bruksel, për të pasur mundësi të paraqiste zyrtarisht pozicionin e saj për zgjedhjet dhe paketën e saj integruese.
Mazhoranca ka artikuluar shpesh se në rastin e çështjes së liberalizimit të vizave PS-ja u angazhua heshturazi kundër tyre. A kemi të bëjmë edhe në rastin e statusit të vendit kandidat me një deja-vu?
Kjo do të ishte shumë e rëndë për PS-në dhe mbi të gjitha për të gjithë ne që kemi dhënë kontribut për modernizimin e PS-së dhe në krye të shtetit shqiptar për integrimin e vendit në NATO e BE; jo nuk e besoj kurrë që ky të ishte qëllimi i PS-së. Por Rama me qëndrimet e tij, të cilat po ia imponon PS-së, po krijon përshtypjen te shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë se është kundër fitimit të statusit të vendit kandidat për në BE. Do të jetë një njollë e pamerituar për PS-në që ajo të etiketohet se ka qenë kundër fitimit të statusit vendit kandidat për Shqipërinë, thjesht se Rama së bashku me një grup të ngushtë rreth tij (po ashtu siç dëmtuan imazhin e PS në Parlamentin Europian përmes informacionit të gënjeshtërt për Tanja Fajon) vazhdojnë të mendojnë dhe krijojnë idenë se Shqipëria nuk është në normalitet, sepse vetëm kështu Berisha largohet nga pushteti. Për ta mbyllur, edhe nëse Rama gjykon se ftesa është një grackë e Berishës, me moslejimin e znj. Meksi dhe për më tepër me mosvajtjen e saj në Bruksel, PS-ja veçse pranon me ndërgjegje të bjerë në këtë grackë; kjo minimalisht është mungesë inteligjence politike, ndërkohë që në fakt është mungesë e qartë e përgjegjshmërisë për të vendosur interesat e ngushta personale mbi ato të qytetarëve dhe të integrimit të vendit.