Letra e Kolegjit, Topi reagon sot në mbledhjen e KLD-së
TIRANË Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, do të mbledhë sot paradite KLD-në duke marrë shkak dhe nga letra e gjyqtarëve të Kolegjit, lidhur me akuzat e Partisë Socialiste, për marrje deri në 500 mije euro për çdo vendim të dhënë për Bashkinë e Tiranës. Kreu i shtetit pritet të mbajë fjalën e tij në lidhje me këtë situatë, mesazh ky i pari, që nga dalja përfundimtare e vendimit për Bashkinë e Tiranës nga ana e Kolegjit. Menjëherë pas akuzave të PS-së, pas përfundimit të shqyrtimit të ankimimeve për Tiranën, 8 anëtarët e trupës gjyqësore të Kolegjit Zgjedhor përcollën shqetësimin e tyre përmes një letre drejtuar Presidentit të Republikës, krerëve më të lartë të sistemit të drejtësisë në vend, si dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë. Anëtarët në këtë letër konfidenciale i kanë cilësuar akuzat e PS-së si të pabaza dhe kanë sqaruar se kanë zbatuar vetëm detyrën e tyre në përputhje me ligjin. Ata shkruajnë se ndihen të fyer nga këto akuza që kanë për qëllim përbaltjen e tyre. Anëtarët e Kolegjit, gjithashtu i kërkuan Presidentit të Republikës që në takimin e radhës, të KLD-së, që do të zhvillohet pikërisht sot, të diskutohet për këtë çështje, kërkesë kjo që u mor menjëherë parasysh nga Presidenti Bamir Topi.