E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi me Berishën, të përndjekurit: Duam hapje dosjesh dhe rishikim të historisë

Menjëherë pas takimit, kryeministri Sali Berisha deklaroi para deputetëve demokratë se ligji për lustracionin mund të merret në konsideratë, ndërkohë që do të jenë në vëmendjen e qeverisë edhe kërkesat e tjera të ish-të përndjekurve.

TIRANË Duke marrë shkas nga një takim, që ai zhvilloi me një përfaqësi të ish-të përndjekurve politik, Kryeministri Sali Berisha solli dje në vëmendjen e deputetëve demokratë një çështje tepër të debatueshme, ligji për lustracionin, që u rrëzua kohë më parë nga Gjykata Kushtetuese. Për pasojë, një çështje e tillë, sipas tij, duhet të peshohet mirë, por edhe mund të merret në konsideratë në përputhje me asistencën ndërkombëtare. “Sot prita një përfaqësi të zgjeruar të të përndjekurve politikë, të cilët me përgjegjësi të lartë paraqitën një seri kërkesash, tërësisht të bazuara në rezolutën e Parlamentit shqiptar, të votuar në vitin 2006. Rezoluta përcakton disa detyrime ndaj institucioneve shqiptare dhe shoqërisë. Unë i dëgjova me vëmendje kërkesat e tyre. Sërish, të përndjekurit insistojnë për ligjin e lustracionit. Mendoj se një nismë unilaterale, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese duhet të peshohet mirë. Por një nismë me angazhim edhe të institucioneve ndërkombëtare që kanë ndihmuar e ndihmojnë Shqipërinë në këtë fushë, mund të konsiderohet. Të përndjekurit kërkojnë një riskedulim me shumë arsyetim të shëndoshë, në përputhje me moshën në disa rrethana, të disbursimeve për dëmshpërblimin e tyre, si dhe disa qartësime të ligjit ekzistues”,- u tha Berisha deputetëve. Më herët, kreu i ekzekutivit, para se të fillonte mbledhja e grupit parlamentar, zhvilloi një takim në kryeministri me përfaqësues të shoqatës antikomuniste të të përndjekurve politikë, të kryesuar nga kryetari i kësaj shoqate, Simon Miraka. Sipas njoftimit për shtyp të kryeministrisë, gjatë këtij takimi, ata i paraqitën kryeministrit Berisha disa kërkesa, bazuar në rezolutën e vitit 2006 të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë “Për dënimin e krimeve të regjimit komunist”. Për pasojë, të përndjekurit kërkuan rishikimin e ligjit të lustracionit, bërjen publike dhe hapjen e dokumenteve që dëshmojnë krimet e regjimit komunist, hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit, rishikimin teksteve shkollore që trajtojnë historinë, ngritjen e një muzeu të mirëfilltë për krimet e komunizmit, si dhe ngritjen e një memoriali në nder të viktimave të komunizmit. Përfaqësuesit e të përndjekurve kërkuan gjithashtu rishikimin e ligjit “Për dëmshpërblimin e të ish të dënuarve politikë të regjimit komunist, me qëllim përfshirjen e disa rasteve të cilat kanë qenë të patrajtuara më parë; siç janë të pushkatuarit pa gjyq apo dhe të pushkatuarit para vitit 1944, rastet ku dokumentacioni mungon, apo disa vepra të cilat nuk janë përfshirë në ligj. Nga ana e tij, Berisha u shpreh se qeveria do të trajtojë me përparësi këto kërkesa, duke iu dhënë atyre përgjigjen më të drejtë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›