E Shtunë, 31 Tetor 2026

PSD: Nëse dështon procesi i kartave, do të kërkojmë dorëheqjen e Berishës



Partia Socialdemokrate do të mbështesë çdo aksion politik që do të ndërmarrë Partia Socialiste për “kauzën” e shpërndarjes falas të kartave të identitetit. Deputetja Diana Çuli u shpreh se PSD-ja do të ndjekë të njëjtën vijë me PS-në. Ajo tha se forca politike që ajo përfaqëson do të kërkojë pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Për këtë ata do t’i bëjnë presion qeverisë dhe kryeministrit Berisha. “Ne presim që Berisha të reagojë. Në rast se qeveria nuk reagon dhe dështon në përgatitjen e zgjedhjeve, PSD do të kërkojë dorëheqjen e Berishës”, - u shpreh Çuli. Kryetarja e Grupit Parlamentar të PSD-së tha se do të shikohen të gjitha mundësitë për hapat e mëtejshëm që do të ndërmarrë e majta. Ajo deklaroi se për të koordinuar veprimet partitë e majta do të ndërtojnë një strategji të përbashkët. Çuli foli edhe për mundësinë e krijimit të një konfederate midis PS-së dhe PSD-së. Ajo u shpreh se PSD-ja do të jetë në koalicion me PS-në për zgjedhjet e qershorit. Mundësinë për bashkimin në konfederatë Çuli e la si një opsion të mundshëm pas zgjedhjeve.
Ndërsa nënkryetari i PSD-së, Engjëll Bejtja, tha se e majta nuk do të futet në zgjedhje në rast se qytetarët nuk pajisen me karta identiteti. Sipas tij, pajisja e qytetarëve me karta është edhe një nga kushtet më të rëndësishme që e majta ka për zgjedhjet.

Luis Tanushi

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›