E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shehi dhe Meksi: Poli, leksion për PD dhe PS

 

Aristir Lumezi

“Më 28 qershor do ti japim një leksion shumë të madh partive që drejtojnë sot ose mbyllim fare faqen e demokracisë”. Koalicioni “Poli i Lirisë” çeli dje zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Kreu i Partisë Lëvizja Kombëtare për Zhvillim, Dashamir Shehi, në fjalën e tij e ka vënë theksin në vendimin për të ndryshuar, pasi sipas tij këto 18 vite kemi qëndruar në një rreth vicioz qeverisës. “Kemi mundësi të zgjerojmë lirinë tonë, u nisëm 18 vite më parë për të krijuar një shtet dhe demokraci që funksionon, një shet jo autoritar, por arbitër i të drejtave tona”, tha Dashamir Shehi.
Një ndër eksponentët kryesorë të mitingut hapës ishte ish-kryeministri Aleksandër Meksi, i cili kryeson listën e kandidatëve në qarkun e Tiranës. Meksi vuri theksin te bashkimi i të gjithëve për të çuar para ëndrrën e ndërtimit të demokracisë të nisur 19 vjet më parë. Ai bërë publike disa nga pikat kryesore të programit elektoral të “Polit të Lirisë”, ku në thelb është përmirësimi i ekonomisë, reformimi i arsimit dhe shëndetësisë.
Në fjalën e tij, Meksi thumboi qeverisjen e Partisë Demokratike ndërsa shpaloste programin e tij para simpatizantëve, duke thënë se në vend ka akoma krim dhe korrupsion, të cilat janë edhe arsyet kryesore që Shqipëria nuk është akoma në Bashkimin Evropian. Duke folur për programin ekonomik të këtij grupimi, Meksi tha se në programin ekonomik janë parashikuar një serë reformash për pensionet, biznesin, arsimin, barazinë gjinore etj. Duke kërkuar mbështetjen për alternativën e djathtë që përfaqëson, Meksi tha se tashmë ka ardhur koha që idealet e dhjetorit të realizohen. Gjithashtu ai theksoi se tashmë ka ardhur koha që të votohet edhe kundër atyre të cilët shkelin çdo ditë demokracinë. Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, gjatë fjalës së tij u shpreh se koalicioni në të cilin bën pjesë edhe partia e tij do të punojë për interesat e shqiptarëve, duke riformuluar sistemin arsimor, duke paguar mjekët. Një nga çështjet që ende nuk ka gjetur zgjidhje nga politika shqiptare, siç është ajo e pronave, duket se do të jetë në qendër të programit të Polit të Lirisë. Dashamir Shehi premtoi dje se ky koalicion do të zgjidhë edhe çështjen e pronave. “Jemi këtu për të përcaktuar në mënyrë definitive çështjen e pronës, pasi ajo është në thelb të shtetit të së drejtës dhe ekonomisë së tregut”, u shpreh ai. Çështja e pronës është në thelbin e ekonomisë së tregut, tha Shehi ndaj e kemi konsideruar aleat të rëndësishëm shtresën e ish-pronarëve. Duke u ndalur tek ekonomia, Shehi nënvizoi se “Poli i Lirisë” do të ndërtojë gjithë sistemin arsimor duke e reformuar atë. Shëndetësia, premtoi ai, do të jetë një tjetër prioritet i kësaj lëvizjeje ku do të vendosen sigurimet shëndetësore. Më 28 qershor, vijoi Shehi, hapim një faqe të re përndryshe do mbyllet fare libri i demokracisë. “Më 28 qershor hapet një faqe e re ose mbyllim fare demokracinë, unë do ju ftoja të dilni të votoni, duke i dhënë një leksion shumë të madhe këtyre që drejtojnë sot”, theksoi kreu i LZHK-së, Shehi në fjalën e tij.

Toro: Pronarët pjesë e “Polit”

Kandidati i Durrësit që vjen nga shoqata e pronarëve, Agim Toro, tha dje se ish-pronarët janë bërë pjesë e “Polit të Lirisë” sepse kanë në thelb të programit të tyre zgjidhjen e çështjes së pronës. Toro theksoi se e djathta dhe aleatët e saj kanë katër vjet që mashtrojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje ndërsa kanë 18 vjet që prona zvarritet, nga njëra qeveri në tjetrën, pa i dhënë një zgjidhje konkrete.

Listat e grupimit

Gjatë hapjes së djeshme të fushatës elektorale, u komunikuan dhe kandidatët e grupimit Poli i Lirisë, i cili përbëhet nga 7 parti, PDK, LZHK, PBD, PRD, PRrL dhe PK. Në krye të listës së kandidatëve janë eksponentët kryesorë të këtij grupimi, Aleksandër Meksi, Dashamir Shehi, në Durrës, Agim Toro, ndërsa në Lezhë lista kryesohet nga një grua.

Ndoka
“Do të përcaktojmë maxhorancën qeverisëse”

Kryetari i PDK-së, pjesë e këtij grupimi, Nard Ndoka, tha dje gjatë fjalës së tij se më këtë bashkim i jepet fund politikës së dy partive të vetme PD dhe PS. “Ne, tha Ndoka, jemi shumë dhe më 28 qershor do të përcaktojmë maxhorancën e qeverisjes së vendit. “Ne jemi garancia se kurrë më Shqipëria nuk do të jetë nën thundrën e një njeriu të vetëm, i cili mbron vetëm interesat e familjes së vet. Ne jemi garancia që Parlamenti i ardhshëm do të zgjidhë përfundimisht çështjen e pronës, çështjen e ish-të përndjekurve dhe reformën në sistemin e arsimit dhe shëndetësisë”, tha Ndoka. Sipas tij, “Poli i Lirisë” është lëvizja më reale e krijuar nga ata që kanë kontribuar për demokracinë gjatë këtyre 19 vjetëve. “Ne, vijoi Ndoka, jemi ndryshe nga e majta sepse nuk kemi asgjë të përbashkët me ata që krijuan diktaturën. S’kemi asgjë të përbashkët me të djathtën sepse nuk denigrojmë dhe nuk largojmë forca politike që mendojnë ndryshe”, theksoi Ndoka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›