E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Pajisja me karta, situata është alarmante

Sekretari për çështjet zgjedhore në PS, verën se situata është shqetësuese në zyrat e aplikimit


TIRANË- Kur kanë kaluar katër muaj nga fillimi i aplikimit për kartat e identitetit, Partia Socialiste vëren me shqetësim se sistemi i zyrave të aplikimit nuk është shpërndarë ende në të gjithë vendin dhe në disa raste ato nuk janë funksionale, duke rrezikuar procesin.


Ka qenë sekretari për çështjet zgjedhore në PS, Kastriot Islami, që ka vënë në dukje një fakt të tillë, i cili dje, përmes një konference për shtyp ka deklaruar se situata paraqitet alarmante në bashkitë e vogla dhe komunat e thella të 17 rretheve, pra pothuajse në gjysmën e vendit, ku shifra e aplikimit është nën 25 për qind.


"Prej tyre, situata duket pa shpresë për të realizuar objektivin e pajisjes se çdo votuesi pa pasaportë me letërnjoftim në njësitë vendore të drejtuara nga PD-ja. Drejtuesit e tyre, në shumë raste, pengojnë me mënyra të ndryshme zbatimin e VKM-së dhe votuesit të aplikojnë. Nuk mungojnë rastet kur veprimi është selektiv.


Gjithashtu, në një pjesë të konsiderueshme të njësive vendore, VKM nr. 366, për personat që përfitojnë ndihmë ekonomike, nuk po zbatohet dhe mungon informacioni publik në lidhje me to.


I njëjti fenomen po ndodh edhe me drejtoritë e arsimit në rrethe, të cilat nuk po blejnë kuponë sipas vendimit në fjalë",- tha Islami. Sekretari për zgjedhjet në PS, vëren se edhe shërbimi postar paraqitet problematik, ku punonjësit e saj nuk respektojnë vendimin e VKM-së.


"Në jo pak raste veprimi i punonjësve të postave shfaqet partiak dhe rezulton selektiv e pengues për të gjithë ata që nuk janë militantë të PD-së. U kërkojmë të gjithë aplikantëve që pengohen, të denoncojnë në media të gjithë këto raste. Po kështu, çdo denoncim publik në media do ta kthejmë në denoncim juridik, nëse këto pengesa vazhdojnë.


Raste flagrante si ai Voskopojës, kur militantë të PD-së, të rekrutuar në zyrat e postës, shpërndajnë kuponë me çmime 200 lekë për militantët e PD-së dhe 1200 lekë për të tjerët, janë jo vetëm pengesa nga paaftësia, por mesa duket edhe nga udhëzime partiake të drejtuesve të lartë të shërbimit postar të dhëna nën rrogoz për veprime selektive", - tha ai.


Tejet shqetësues, sipas tij, është veprimi i punonjësve të shërbimit postar pothuajse kudo, me të gjithë votuesit pa pasaportë, që ndodhen jashtë listave të Ministrisë së Brendshme.


"Kur kanë mbetur edhe 30 ditë pune për të aplikuar, pavarësisht demagogjisë së kësaj qeverie dhe angazhimit maksimal të PS-së, më duhet të pohoj se situata duket alarmante dhe ritmet të pamjaftueshme për të garantuar pajisjen me letërnjoftim të të gjithë votuesve pa pasaportë",- tha ai.

Të dhënat e përqindjes së aplikimit për letërnjoftime, sipas Kastriot Islamit

Tropojë 3.8 % Mirditë 15.1% Gramsh 21.9%

Has 5.3 % Peqin 16.6 % Përmet 22.7%

Kukës 5.7% Krujë 17.7% Tepelenë 23.3%

M. Madhe 7.9% Pukë 18.9% Kolonjë 23.4%

Bulqizë 8.5% Mat 19.6% Mallakastër 23.8%

Dibër 15% Lezhë 21.9%

Reagon MB: Procesi po ecën normalisht

TIRANË- Ministria e Brendshme ka mohuar të dhënat e paraqitura nga sekretari për zgjedhjet në PS, Kastriot Islami. "Janë mbi 50 stacione aplikimi të hapura më shumë se parashikimi.


Për herë të parë realizohet një proces, i cili u ofron shërbimin qytetarëve 7 ditë të javës dhe duke punuar me orare të zgjatura gjatë ditës së punës. Kapacitetet e aplikimit dhe prodhimit të letërnjoftimeve elektronike janë në kuotat maksimale, respektivisht 22 mijë dhe 20 mijë në ditë.


Për shkak të këtij intensiteti, deri më tani kanë aplikuar më shumë se 850 mijë qytetarë dhe janë prodhuar mbi 650 mijë letërnjoftime elektronike",- thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Brendshme.


Në bazë të vendimit më të fundit të qeverisë, sipas Ministrisë së Brendshme, janë 15 mijë qytetarë shqiptarë, të cilët kanë tërhequr kuponët me 200 lekë pranë zyrave të shërbimit postar në të gjithë vendin.


"Ministria e Brendshme sqaron opinionin publik se përtej deklaratave spekulative dhe dezinformuese të Partisë Socialiste për këtë proces, të gjithë qytetarët që do të paraqiten për të aplikuar për letërnjoftime elektronike, kanë të garantuara të gjitha kapacitetet dhe lehtësitë e krijuara nga qeveria shqiptare për t'u pajisur me letërnjoftim elektronik",- thuhet në njoftimin për shtyp.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›