E Diel, 1 Nëntor 2026

"Gruaja nuk kthehet por dua drejtësi"

Apeli i Mahmud Kokës: Kërkoj vetëm që drejtësia të veprojë sepse humba njeriun më të afërt

Teksa mban në duar letrat, shkresat dhe gjithçka që tregon vuajtjet, ankesat dhe përpjekjet e vazhdueshme të një 70- vjeçari, Mahmudi përpiqet të shpjegojë një për një rrugën që ka ndjekur deri sot. "U bënë tre vjet që endem gjithandej.


Askush nuk mund të ma kthejë gruan, por të paktën e vërteta të shkojë në vend dhe unë të rri i qetë se bëra gjithçka. Mjekët nuk i bënë ekzaminimet më minimale. Nëse do ishte kapur qysh në fillim hemorragjia, gruaja ime edhe mund të kishte shpëtuar.

Akti i ekspertizës e thotë shprehimisht dhe ata janë ekspertët më të mirë me grada shkencore që e kanë bërë këtë. Unë nuk kam asnjë pretendim nga mjeku i Elbasanit pasi këtu çështja u mbyll por të paktën u shpall i fajshëm për mjekim të pakujdesshëm, kurse në Tiranë ata nxituan ta rregullojnë e ta mbyllin duke harruar se unë nuk do të resht derisa të dalë në shesh e vërteta.


Prokuroria e Tiranës e mbylli çështjen pa një pa dy por unë nuk do të ndalem. Kam bërë ankimim në Prokurorinë e Përgjithshme. Pres që dosja të shqyrtohet por koha kalon dhe dosja fle në sirtar.


Unë jam plak nuk mund të vij vërdallë kaq shumë. Kërkoj vetëm që drejtësia të veprojë sepse humba njeriun më të afërt dhe askush nuk mban përgjegjësi. Gruaja ime mund të kishte shpëtuar por mjekët nuk e mjekuan. Ja kjo është mjekësia shqiptare në vend që të shërojë të lë të vdesësh".

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›