Islami-Patozi, objektiva të njëjta për reformën zgjedhore
Partinë Demokratike dhe atë Socialiste përveç konsensusit duket se i bashkon edhe qëndrimi i përbashkët për reformën zgjedhore. Bashkëkryetari i Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Kastriot Islami, u shpreh dje se sistemi më i përshtatshëm duhet të jetë ai proporcional dhe me listë të mbyllur. Ky qëndrim duket se pranohet pa rezerva nga Partia Demokratike. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, u shpreh se maxhoranca do të pranojë çdo sistem që do të propozojë opozita. “Në të gjithë literaturën e sistemeve demokratike, që janë anëtarë të BE-së dhe të NATO-s, ka dy lloje listash kur bëhet fjalë për sistemet proporcionale apo sistemet e përzier që kanë në thelb sistemin proporcional. Ose lista është e mbyllur dhe kjo vendoset nga partia, në bazë të rregullave apo statutit të partisë dhe varianti i dytë është ai që quhet votë preferenciale. Votë preferenciale do të thotë që lista ka emrat e kandidatëve, pra është votuesi ai që zgjedh, pra me preferencë, kandidatin ose bën renditjen”, - u shpreh për median Islami. Vetëm pak minuta më vonë, Patozi dha mbështetjen e Partisë Demokratike. “Unë konstatoj që ka një vullnet të përbashkët mes palëve për të pasur objektiva të njëjta. Me këtë frymë besoj se mund të arrijmë rezultate të mira. Unë besoj që maxhoranca e ka trajtuar që në fillim dhe është deklaruar që në fillim se ne do të pranojmë çdo lloj sistemi që do të dëshirojë opozita dhe kjo është një deklaratë finale. Unë mund të theksoj se Partia Demokratike është e hapur sigurisht edhe me aleatët e saj, por edhe me forcat e opozitës. Kjo është një reformë që kërkon një konsensus sa më të gjerë të mundshëm”, - u shpreh Astrit Patozi. Kreu demokrat parlamentar nuk dha detaje për sistemin, por i qëndron diskutimeve të vazhdueshme për këtë çështje. Në të kundërt të tij, Kastriot Islami u pozicionua kundër sistemit me listë të hapur pasi, sipas tij, ndërlikon sistemin si dhe rrit pazaret politike. “E para, lista që kërkohet në Shqipëri është jashtë standardeve sepse lista që është aplikuar në Shqipëri është një listë ku kryetari i partisë vendos emrin i pari, pra është e mbyllur për kryetarin dhe është e hapur për të tjerët dhe për më tepër votuesi nuk vendos për renditjen, por ka një formulë që votuesi nuk e shikon dhe kjo vendoset mbas zgjedhjeve. Kjo konsiderohet mashtrim. Jemi të hapur për cilindo model, pse duam listë të mbyllur sepse vota preferenciale ka dy defekte të tjera. E para, që Shqipëria nuk ka bërë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe, e dyta, kërkohet një sistem sa më i thjeshtë dhe ky sistem është lista e mbyllur”, - përfundoi Islami.
13 Shkurt 2008