Çmimet, skema e qeverisë për kategoritë që përfitojnë kompensim
Grupi i punës, i ngritur nga qeveria, po shqyrton përfituesit e mundshëm në shtet me paga të ulëta dhe mesatare. Surpriza, mundësi për kompensim edhe për pagat minimale në sektorin privat
Erald Kapri
Ministria e Financave, së bashku me disa përfaqësues nga Kryeministria, kanë ngritur një grup pune, i cili ka nisur menjëherë, ditën e djeshme, shqyrtimin dhe llogaritjen e kompensimit për pagat dhe pensionet. Rritja e ndjeshme e çmimeve ka prekur edhe vendimmarrjen e qeverisë, e cila kërkon të reagojë menjëherë. Këshilltarja e kryeministrit për ekonominë, Suzana Guxholli, pjesë e grupit të punës, shprehet për gazetën “Albania” se kanë nisur të shqyrtohen variantet e mundshme për kompensimin e rritjes së çmimeve. Guxholli shpjegon se brenda pak ditësh do të jetë gati skema, e cila do të mundësojë një indeksim të plotë të rritjes së çmimeve për pagat e mesme dhe minimale në shtet, pensionistët e fshatit dhe qytetit. Surpriza në këtë çështje është se grupi i punës po diskuton edhe mundësinë e kompensimit të pagave minimale te privatët. Ndonëse sektori privat nuk është pjesë e rritjes së pagave që ndërmerr qeveria për punonjësit, rritja e kostos së jetesës ndihet edhe te punonjësit e privatit, ndaj dhe qeveria ka menduar një skemë për kompensimin e tyre. Ende nuk është vendosur mbi mënyrën e ndërhyrjes që do të bëjë qeveria te privati për të kompensuar punonjësit me paga minimale në sektorin privat, por mendohet paraprakisht se qeveria do të mundësojë që ata të përfitojnë kompensimin e plotë.
Grupi i punës
Këshilltarja e ekonomisë, Suzana Guxholli, shpjegon se janë disa opsione që mund të ndjekë qeveria për kompensimin e rritjes së çmimeve. “Grupi i punës po shqyrton disa variante për mënyrën dhe masën e kompensimit që do të jepet. Në fund do të zgjidhet një opsion, i cili do të jetë më i thjeshti dhe më efikasi, që do të mundësojë një kompensim sa më real për të ardhurat”, - shprehet Guxholli. Grupi i punës njëkohësisht po diskuton edhe masën e kompensimit që do të jepet. Për këtë ky grup do të shqyrtojë të dhënat nga INSTAT-i për të llogaritur indeksimin e duhur. Kryeministri Sali Berisha ka premtuar se do të kompensohet çdo qindarkë për shtresat në nevojë dhe pikërisht do të kompensohet masa që është rritur muajt e fundit.
Pagat dhe pensionet
Tashmë është i ditur kompensimi që do të përfitojnë të gjitha pagat e ulëta dhe të mesme të punonjësve buxhetorë. Gjithsesi, grupi i punë do të vendosë se deri në çfarë nivel page do të kompensohen. Pagat e ulëta konsiderohen pagat minimale, pra që pagesa arrin në masën e rreth 17 mijë lekëve dhe pagat e mesme nga 25 mijë e deri në 30 mijë lekë. Kjo kategori, që përfiton këto të ardhura në shtet, pritet që të kompensohet pa diskutim brenda grupit. Është hedhur edhe ideja që të kompensohen pagat minimale në privat, por kjo do të rishikohet edhe njëherë për të parë sasinë e kompensimit, sasinë e përfituesve si dhe çfarë efekti do të ketë në Buxhetin e Shtetit. Pensionet e kanë të përcaktuar me vendim qeverie masën e kompensimit të mundshëm si dhe kategoritë që përfitojnë. Akti i qeverisë ka përcaktuar edhe kategoritë që mund të përfitojnë kompensim financiar. Pensionistëve, atyre që përfitojnë pensione qyteti, pleqërie, invaliditeti dhe familjar, edhe mbas rritjes, nuk u preken të gjitha kompensimet e të ardhurave mujore të përfituara nga vendimet e veçanta të Këshillit të Ministrave. Sipas Udhëzimit, kompensimi do të jetë i përcaktuar dhe i paprekur, edhe pse pensioni mund të jetë rritur kohët e fundit. Njëkohësisht, po t’i referohemi pikës numër tetë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, për të gjithë pensionistët e fshatit që përfitojnë pensione pleqërie, invaliditeti dhe familjare, nuk preken kompensimet e të ardhurave mujore të përfituara nga vendimi i qeverisë që përcakton të ardhura nga kompensimi.
13 Shkurt 2008