E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të vegjëlit” në sulm kundër PS-PD-së për reformën zgjedhore

Partitë e vogla demonstrojnë forcën dhe kërcënojnë me bllokim të reformave. ”Duam listë të hapur dhe prag 2.5 për qind”. Krerët “e vegjël” ulen në kafene pavarësisht pozicionit politik
Erald Kapri

Partitë e vogla kërcënojnë hapur me bllokim të reformave me anë të votave në Kuvend në rast se propozimet e tyre për sistemin elektoral nuk merren parasysh. Krerët e partive të vogla parlamentare, pavarësisht pozicionit politik, janë takuar ditën e djeshme në një nga kafenetë e njohura të Tiranës duke demonstruar forcën dhe bashkëpunimin e tyre. Deklaratat e partive të mëdha, si PD-ja dhe PS-ja, janë cilësuar si të papranueshme ndaj dhe të “vegjëlit” e Kuvendit kanë paraqitur hapur kërkesat e tyre. Paskal Milo, kryetari i Partisë Demokracia Sociale, ka qenë më i drejtpërdrejtë dhe ka kërkuar një sistem të personalizuar nga partia me listë të hapur si dhe partitë e mëdha të mos guxojnë të prekin pragun elektoral për të hyrë në Kuvend. Pragu në mënyrë unanime kërkohet në masën 2.5 për qind, në nivelin aktual. “Kërkojmë një sistem proporcional të personalizuar, kërkojmë një prag zgjedhor 2.5 për qind dhe kërkojmë të drejtën që partitë politike të propozojnë edhe listën e përfaqësuesve, kandidatëve për deputetë, të jetë e hapur dhe jo e mbyllur”, - tha Paskal Milo.
“Të mëdhenjtë”
Arritja e vetme që po duket në sfond është se sistemi do të jetë proporcional, që nënkupton se në vitin 2009 qytetarët shqiptarë do të votojnë direkt për emrat e partive dhe jo për kandidatin. Për këtë pikë, “të vegjëlit” kërkojnë një listë ku emrat e kandidatëve të jenë të hapur me përjashtim të kryetarit, gjë që është kundërshtuar nga bashkëkryetari i Komisionit, Kastriot Islami, që e ka cilësuar këtë kërkesë si “shqiptarizëm” i zakonshëm mbi problemet. “Lista që është aplikuar në Shqipëri është një listë ku kryetari i partisë vendos emrin i pari, pra është e mbyllur për kryetarin dhe është e hapur për të tjerët dhe për më tepër votuesi nuk vendos për renditjen, por ka një formulë që votuesi nuk e shikon dhe kjo vendoset mbas zgjedhjeve. Kjo konsiderohet mashtrim”, - ka reaguar Islami.
“Të vegjëlit”
Interesi i përbashkët i partive të vogla mbetet mosvështirësimi i hyrjes në Kuvend dhe kjo deklarohet hapur dhe pa komplekse ndonëse akuzohen partitë e mëdha për klientelizëm politik. Kryetari demokristian, Nard Ndoka, kërkoi përgjegjshmëri nga politika në një reformë të tillë si ajo elektorale, e cila duhet të garantojë votën e lirë. “Duhet të jetë e rëndësishme që pazaret, fakti që partitë e mëdha e kanë vonuar sistemin dhe reformën, të marrin fund. Ne po kërkojmë standarde, një stad të barabartë për të gjitha partitë politike dhe jo konjuktura të veçanta politike”, - tha Nard Ndoka. Në të njëjtën linjë me Ndokën është paraqitur edhe kreu aleancist, Neritan Ceka, i cili kërkoi edhe fillimin e punës për Komisionin Parlamentar për këtë çështje. “Ajo që kërkojmë është se opsionet e çdo votimi të shkojnë sa më parë në Parlament. Nuk ka rrugë tjetër në një demokraci. Një komision parlamentar nuk mund të bllokojë procedurat. Ajo që kërkojmë është që reforma zgjedhore të mos përdoret për të degraduar demokracinë në Shqipëri nga një krah i mundur. Nga ana tjetër ka një projekt nga partitë politike ku ka edhe interes të përbashkët nga opozita dhe interesi ynë është mbrojtja e votës”, - tha Ceka. Ndërkohë edhe republikanët kanë qenë agresivë. “Partia Demokratike dhe ajo Socialiste kanë monopolin dhe kjo u duk dje në deklarata. Reforma zgjedhore në Shqipëri kërkon domosdoshmërisht përfshirjen e partive të vogla në këtë proces. Reforma do të zvarritet për aq kohë sa partitë e vogla nuk do të jenë pjesëmarrëse në hartimin e saj. Dua të theksoj faktin se ne nuk kemi asnjë rezervë lidhur me negociatat dhe marrëveshjet politike midis partive. Përsa kohë që ne ndihemi të përjashtuar nga ky proces, ai merr formën e kushtëzimit. Tashmë janë të gjitha mundësitë, ndaj është mëse e domosdoshme që ky proces të fillojë punën e tij me qëllim përmbushjen e njërës nga pikave më themelore të kërkuara për anëtarësimin e vendit tonë në NATO dhe BE”, - tha kreu parlamentar republikan, Arian Madhi.

13 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›