Salihi dopietë: Më sjellin fat prindërit
• Është padyshim sulmuesi më produktiv i Kombëtares dhe një nga kuqezinjtë më në formë.Hamdi Salihi ka shënuar dy gola në ndeshjen e djeshme kundër Austria Karnten, duke vulosur fitoren 3-0 të Riedit në këtë ndeshje. “Sulmuesi i Kombëtares shqiptare realizoi në minutat 52 dhe 56. Golin e parë e realizoi pas një krosimi të Akagundyz, ndërsa në të dytin asistin e dha Toth. “Ishte shumë e rëndësishme për ne që ta fitonim këtë takim, pasi kishim zbritur në zonën e ftohtë, është shprehur bomberi shkodran për ‘Panorama’. Mendoj se zhvillova një lojë të mirë, pavarësisht se kësaj radhe si asnjëherë më parë kam marrë shkelma sistematikisht gjatë gjithë ndeshjes nga kundërshtarët. Megjithatë ia vlejti, sepse shënova dy gola që siguruan tri pikët, kjo ishte më e rëndësishmja”. Tri herë që prindërit e Salihit kanë vendosur ta shohin atë nga afër, të tria ndeshjet ai ka shënuar, madje herën e fundit (dje) realizoi dy gola. “Ua dedikoj atyre golat që shënova. Sa herë që ata janë në stadium, arrij të shënoj. Më sjellin fat. Madje shokët pas ndeshjes po bënin shaka në dhomat e zhveshjes, duke më thënë që të mos i lija prindërit të ktheheshin në Shqipëri, ose t’iu kërkoja që të vinin çdo ndeshje në stadium, sepse kështu do të shënoja gjithnjë”, ka treguar sulmuesi. 24-vjeçari me 10 golat e realizuar gjatë këtij sezoni renditet i treti në listën e golashënuesve më të mirë të kampionatit austriak, me tre gola më pak se sa kryesuesi Zikler, që aktivizohet te Salzburgu. Ai është shpallur lojtari më i mirë i ndeshjes së djeshme dhe është vlerësuar me nota maksimale nga media austriake, duke u cilësuar si heroi i Riedit në këtë takim. Salihi ishte shprehur vazhdimisht në të kaluarën, se qëllimi i tij këtë sezon ishte që të arrinte në kuotën e 10 golave, por tani që ky objektiv u arrit, sulmuesi kërkon më tepër. “Shpresoj të shënoj sa më shumë. Jam i kënaqur që arrita këtë objektiv, por kjo nuk do të thotë se jam ‘ngopur’ së shënuari. Përkundrazi tani kam edhe më tepër dëshirë”, ka thënë futbollisti. Gjatë 25 javëve të kampionatit austriak, sulmuesi shqiptar ka shënuar 10 gola. Riedi renditet në vendin e 7-të me 9 pikë më pak se kryesuesit e LANSK Linzit.Jetmir Halilaj