E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edoardo, dëmtim i tmerrshëm

• Sulmuesi i “topçinjve” ka pësuar një goditje të ashpër në këmbën e majtë dhe rrezikon që të qëndrojë gjatë jashtë fushave të lojës.Gjithçka ka ndodhur në ndeshjen kundër Birmingamit, kur një futbollist kundërshtar i ka ndërhyrë në mënyrë të gabuar duke i vënë në rrezik karrierën lojtarit. Aq e tmerrshme ka qenë ndërhyrja e tij saqë televizionet angleze kanë vendosur të mos i transmetojnë pamjet filmike të asaj ndërhyrjeje, pasi u konsideruan shumë të dhunshme. Ndërkaq trajneri i Arsenalit, Arsen Venger është acaruar tej mase kur ka parë lojtarin e tij të dilte me barelë nga fusha. Futbollisti me origjinë braziliane të hënën e ardhshme kishte programuar të bënte një festë të madhe sepse mbush 25 vjeç, por tani gjithçka i është kthyer në një makth të vërtetë, për shkak të ndërhyrjes së rëndë që i ka bërë Martin Tejlor, i cili menjëherë pas atij veprimi është ndëshkuar me karton të kuq. Dëmtimi që ka pësuar Edoardo përveçse është shumë serioz ka qenë edhe tepër i dhimbshëm, aq sa për të sjellë në vete lojtarin, gjatë kohës që ai ishte në fushë, është dashur edhe përdorimi i oksigjenit. Për Edoardon, ndeshja për të cilin zgjati vetëm 3 minuta para se të dilte nga fusha mes duartrokitjeve të të gjithë stadiumit, parashikohet një qëndrim i gjatë jashtë fushave. Sezoni i tij ka përfunduar, madje lojtari me pasaportë kroate nuk mund të luajë as në finalet e Evropianit që do të zhvillohen në qershor dhe kjo do të thotë një humbje e madhe edhe për Kombëtaren e Kroacisë. I ashpër ka qenë ndërkohë reagimi i trajnerit të Arsenalit, Arsen Venger: “Një ndërhyrje e tmerrshme. Nuk mund të tolerohen gjëra të tilla. Ky tipi, ka thënë tekniku francez duke iu referuar Tejlorit. Nuk duhet të luajë më futboll pas asaj që bëri. E prisnim një gjë të tillë sepse kishim kohë që ankoheshim për ndërhyrjet e rënda që pësonin lojtarët tanë, por askush nuk mori masa”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›