E Diel, 1 Nëntor 2026

Tragjedia e 9 janarit, mbyllet greva në Shkodër

Pas 22 ditësh grevë urie, dy prindër të dy fëmijëve të zhdukur në tragjedinë e 9 janarit, kanë ndërprerë dje grevën e urisë. Vendimi u mor pas negociatave me përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë. Greva është ndërprerë, duke shpresuar se pas rinisjes së hetimeve pak ditë më parë nga Prokuroria e Vlorës, e vërteta do të zbardhet. Përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë kanë arritur të bindin grevistët që të lënë grevën, duke u premtuar atyre se do të jetë kjo ministri ajo që do t‘u japë gjithë ndihmën e nevojshme për zbardhjen e së vërtetës. Duke folur për mediat, njëri nga grevistët, Ndoc Bjeshka, tha se "shkak për ndërprerjen e grevës është ndihma që na dha nënkryetari i KLD-së, z. Kreshnik Spahiu. Pas vizitës së tij në Shkodër, Prokuroria e Vlorës rinisi hetimet. Edhe premtimet që na dhanë deputetët dhe pushtetarët dhe së fundi Ministria e Drejtësisë na bindën që ne tani të ndërpresim grevën". Në të njëjtën kohë, Ndoc Bjeshka, thekson se "nëse premtimet nuk mbahen, ne do t‘i kthehemi sërish grevës së urisë dhe nuk do ketë më kthim prapa". Familjarët e të zhdukurve të 9 janarit 2009 iniciuan këtë grevë urie, duke marrë me vete dhe arkivolet për të treguar vendosmëri deri në vdekje. Ata qëndruan në grevë 22 ditë, por fatmirësisht arkivolet dolën bosh nga dhoma e ngujimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›