Skela gol e “magji” me Kotbusin, “derbi” Lala-Kapllani mbyllet X
• Me siguri që mesfushori Ervin Skela do të dëshironte që trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, ta niste nga ai vëzhgimin në ndeshjenemocionuese Bokum-Energi Kotbus, ku fantazisti i kuqezinjve shënoi edhe një nga gjashtë golat e krijuar në barazimin 3-3 midis dy skuadrave të Bundesligës gjermane. “Magjistari” shqiptar shënoi golin e dytë të skuadrës së tij (3-2), vetëm një minutë pasi Auer (68’) kishte shënuar golin e tretë për Bokum dhe ndeshja kishte marrë tone mbyllëse. Një gol i tëri për meritë të Skelës. Portieri i Bokumit, Lastuvska, hodhi topin në drejtim të mbrojtësit të tij, Maltric, Skela ia doli t’i rrëmbente sferën dhe realizoi me zgjuarsi me të djathtën. Ndeshja pati kohën edhe për golin e tretë të Energi Kotbusit të realizuar Jeliç. Në minutën e 89-të shqiptari u largua me duartrokitje në pritje të takimit të radhës kundër Borusias së Dortmundit, ku do të asistojë edhe kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel. Skela deri tani ka shënuar 3 gola dhe ka dhënë 3 asistë. Derbi i shqiptarëve në Bundesligë, Hanover 96 - Karslruhe u nda në paqe 2-2. Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Altin Lala (Hanover) luajti për 68 minuta, por nuk pati fatin të kryente qoftë edhe një dyluftim formal me Edmond Kapllanin, pasi sulmuesi i Karlsruhes hyri si zëvendësues në minutën e 73-të. Mesfushori veteran Skerdi Curri vazhdon të prodhojë performanca tërheqëse me skuadrën e tij, Erzgebirge Aue. Kavajasi 32-vjeçar ishte pjesë e aksionit të golit të parë të Aue në fitoren 3-1 kundër Kicker Ofenbah në ndeshjen e vlefshme për Bundesligën 2 gjermane. Curri deri tani në 16 takime ka shënuar një gol dhe ka dhënë dy asistë.