Mitrovica me parlament serb
• Mitrovica do të ketë një Parlament paralel të drejtuar nga Serbia. Kjo lëvizje është një iniciativë e kryeministrit Vojisllav Koshtunica dhe ministrit serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiç.“Në këtë mënyrë, Koshtunica and Samarxhiç do të finalizojnë planin për të krijuar një territor të ndarë politik dhe etnik me lidhje të veçanta me Serbinë”, shkruan gazeta prishtinase “Zëri”, bazuar nga burime të saj brenda qeverisë serbe. Beogradi zyrtar ka në plan të aktivizojë strukturat paralele administrative serbe në pjesën veriore të Kosovës para se ish provinca e tyre të shpallë pavarësinë. “Serbia do përpiqet të ruajë kontrollin në pjesët e populluara me shumicë serbe edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga institucionet vendore. Gjithçka duhet bërë që serbët të mbeten në tokën e tyre dhe të jetojnë në siguri si qytetarë të Serbisë pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë”, deklaroi Sllobodan Samarxhiç, ministri për Kosovën në qeverinë serbe. Deklarata e Samarxhiçit erdhi pas takimit me udhëheqësit e serbëve të Kosovës. Kisha Ortodokse Serbe ka tërhequr vërejtjen se “pavarësia e Kosovës do ta kthente atë në një plagë afatgjatë jo vetëm për Ballkanin, por për gjithë Evropën”. Plani për formimin e këtij parlamenti është për të premten, më 15 shkurt, dy ditë para datës që pritet shpallja e pavarësisë së Kosovës. Sipas gazetës ky plan është paraqitur nga Serbia që në bisedimet e Vjenës në vitin 2006. Prishtina e ka kundërshtuar ashpër këtë plan. “Kjo lloj asambleje nuk do të përfaqësojë vullnetin e popullit të Kosovës, nuk është asamble e zgjedhur me vota të lira”, tha Xhavet Beqiri, zëdhënësi i Presidentit Sejdiu duke shtuar se asnjë asamble serbe në Kosovë nuk do të ndihmojë dot qytetarët e Kosovës. administratat e UNMIK-ut ka refuzuar të komentojë mbi këtë çështje. “Ne nuk mund të komentojmë mbi asgjë që nuk ka ndodhur ende. Ne duhet të presim dhe të shohim zhvillimet konkrete në të ardhmen”, ka deklaruar zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksander Ivanko.10 shkurti, momenti im më i rëndë Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, në përvjetorin e ngjarjeve të 10 shkurtit, ka rrëfyer se kjo ditë ka qenë momenti më i vështirë i qeverisjes së tij. Çeku ka falënderuar për dinjitetin dhe burrërinë e treguar, familjet Balaj dhe Xheladini që humbën bijtë e tyre në protestat e 10 shkurtit 2007. Ai i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të zbardhë deri në fund këtë rast dhe të vendosë në vend drejtësinë. “Edhe institucionet vendore duhet të bëjnë presionin e duhur për ta çuar deri në fund këtë çështje. Bashkësia ndërkombëtare duhet të jetë e kujdesshme që në misionin e ri që do të instalohet në Kosovë të mos përfshijë kontingjente, të cilat nuk respektojnë ligjin dhe ikin nga drejtësia”, tha Çeku.NATO do të formojë ushtrinë NATO ka në plan të formojë një ushtri të Kosovës pasi ish- provinca serbe të deklarojë pavarësinë. “Formimi i ushtrisë kosovare numëron një personel prej 2500 trupash, të cilat do të bëhen një nga degët funksionale të NATO-s për territorin e populluar nga shqiptarët e Kosovës”, shkruan gazeta e përditshme belge, “La Libre Belgique”. Misioni do të njoftohet zyrtarisht pasi Kosova të shpallë pavarësinë. Pavarësia pritet të shpallet më 17 shkurt, ndërsa për festimet dedikuar asaj dite janë hequr veç 1 milion euro. Beogradi dhe Moska vazhdojnë të insistojnë me akte kundër pavarësisë së Kosovës, si shkelje e rezolutës 1244 të OKB-së.