Haji Thaçi: Jam krenar që im bir do shpallë pavarësinë
• Një rrugë e keqe që e pret era të çon në shtëpinë e liderit Hashim Thaçi, në kodrat që shohin në Luginën e Drenicës, fortesa e nacionalizmit shqiptar në Kosovë dhe fokusi i luftës së dhunshme të viteve ‘90 kundër regjimit serb.Territori i shtëpisë së rinovuar me modesti ndodhet në kodrat në periferi të fshatit Buroja. Në qershor 1999, disa ditë pasi NATO kish nisur bombardimin kundër trupave serbe me qëllim për të mbrojtur popullsinë shqiptare, forcat serbe e dogjën këtë shtëpi pothuajse deri në themel. Familja Thaçi u largua, duke gjetur strehë në disa fshatra të tjera të afërta. Sot, 30 anëtarë të familjes jetojnë këtu. Një ditë të shpejtë, djali i katërt i familjes do të deklarojë pavarësinë e Kosovës. Babai i Hashim Thaçit ulet në tapetin e dhomës së pritjes dhe kujton ditët e luftës së djalit të tij, luftëtari gueril që u bë Kryeministër i Kosovës. Haji Thaçi, 70 vjeç, është një duhanpirës i vjetër i cili mban gjithnjë në kokë qeleshen e bardhë, tipike të popullsisë shqiptare në Kosovë. “E kemi parë shumë pak gjatë ditëve të luftës”, kujton Haji. “Hashimi vinte në shtëpi në mes të natës, vetëm kur jashtë ishte stuhi, shiu dhe dëbora ndihmonin në mbrojtjen e tij. Ndonjëherë, kur rrinte aq sa të hiqte edhe këpucët, mund të shihnim se çorapet i ishin ngjitur në mish nga të ecurit e shumtë”, tha Haji duke sqaruar se serbët e dinin se kjo ishte shtëpia e tij dhe ai qëndronte larg për të mos na dëmtuar ne. A e dinin ata se kjo shtëpi do të nxirrte liderin e ardhshëm të Kosovës së pavarur? “Ne e dinim se shtëpia jonë do të nxirrte një luftëtar të vërtetë”, tha duke ndërprerë vëllai i Hashimit, Agimi. “Por ne nuk e kemi menduar kurrë se nga kjo derë do të dilte një lider”, komentoi i ati. Ky kapërcim i papritur nga tradita luftarake e fshatit tonë, që nuk ka respektuar ligjin dhe politikat ndërkombëtare, mund të jetë një ilustrim i mirë për njerëzit e Kosovës dhe respektin për ligjin e pavarësisë. Sipas këndvështrimit të komunitetit ndërkombëtar, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u bë një organizatë terroriste. Në shkurt të vitit 1998, një ish-diplomat amerikan e quajti qartësisht atë grup të armatosur një organizatë terroriste, që ishte vendosur në Luginën e Drenicës, si antitezë për politikën kundra dhunës të përkrahur nga lideri kosovar, Ibrahim Rugova. UÇK kishte si shënjestër forcat serbe. Sipas shumë komenteve, strategjia që udhëhiqte veprimet e tyre ishte provokimi i një kundërpërgjigjeje të tepruar nga presidenti serb, Sllobodan Millosheviç për të nxitur ndërhyrjen e NATO-s. Në retrospektivë, kjo strategji e provoi veten. Thaçi kishte studiuar Shkenca Politike në Universitetin e Prishtinës dhe ishte një student i shkëlqyer në vitet 1989-‘91, duke organizuar demonstrata kundër qeverisë së Beogradit dhe duke trajnuar në mënyrë të fshehtë militantë në Luginën e Drenicës. Në vitin 1995, ai udhëtoi në Zvicër, ku studioi marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin e Zyrihut me para të ofruara nga grupe militante. Kur u kthye në Kosovë, ai mori pseudonimin e luftës “Gjarpri” dhe u përfshi në disa operacione kundër forcave serbe. Thaçi shpejt u bë lideri i degës politike së UÇK-së. prezantimi i ti i parë ndërkombëtar u bë në vitin 1999 gjatë bisedimeve të Rambujesë mbi krizën e Kosovës, ku Thaçi udhëhoqi delegacionin shqiptar. Fillimisht Thaçi e kundërshtoi marrëveshjen që iu ofrua, nën një presion të fortë nga komandantët e UÇK-së, pasi ajo nuk i siguronte pavarësinë e plotë Kosovës. Pas një vizite të shkurtër në Kosovë, ai u kthye dhe e nënshkroi marrëveshjen, duke marrë kështu garanci për izolimin nga serbët, të cilët refuzuan ta nënshkruanin atë marrëveshje. Refuzimi i Serbisë provokoi fushatën bombarduese të NATO-s në Kosovë. Pra sipas fjalëve, UÇK u bë një “organizatë guerile me një forcë ajrore. Ajo i dha fund edhe një pastrimi masiv etnik dhe vrasjesh të forcave serbe kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Një milion njerëz u përzunë nga shtëpitë e tyre dhe qindra të tjerë u vranë. Pas 78 ditë bombardimesh të NATO-s dhe tërheqjen e forcave serbe, anëtarët e UÇK-së vranë shumë serbë dhe bashkëpunëtorë të tyre. Disa anëtarë të UÇK-së aktualisht po gjykohen nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës me bazë në Hagë. Thaçi ishte përgjegjës për çarmatosjen e UÇK-së dhe ai themeloi Partinë Demokratike të Kosovës. Në zgjedhjet e fundit në Kosovë, zhvilluar në nëntor, PDK fitoi 35 për qind të votave, që e bënë Thaçin kryeministër. Thaçi ka një lidhje të fortë në Izrael. Ish-guvernatori i Bankës së Izraelit, David Klein është një nga këshilltarët e tij financiarë dhe ai ka edhe një këshilltar politik nga Izraeli në stafin e tij. Thaçi e ka vizituar Izraelin vetëm një vit më parë, kur ishte ende lider i opozitës dhe është takuar me biznesmenë dhe zyrtarë të Ministrisë së Jashtme. Në shtëpinë e tij në Buroja, Haji Thaçi tha se është shumë krenar që biri i tij do të deklarojë pavarësinë e Kosovës. “Edhe kur unë isha një djalë i ri mendoja për pavarësinë e Kosovës, por ne nuk kemi pasur kurrë mundësinë për ta arritur atë”. Si e shpjegon ai faktin se biri i tij, i quajtur dikur “gjarpri” tani ndonjëherë thirret “Hashim Rugova,” për shkak të politikës së tij të moderuar? “Në luftë ai ishte një gjarpër, dhe në paqe është një lider moderator”, ndërhyri vëllai i tij Agim. “Ai nuk është as njëra as tjetra”, tha i ati Haji, “Ai është Hashim Thaçi” (Marrë nga Haaretz)Analizë “Formimi i Shqipërisë së madhe nuk është i mundur edhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, ka komentuar analisti politik, Kashif Bakiu për agjencinë “FOCUS”. Sipas tij gjëja më e rëndësishme në këtë proces është se shqiptarët e Kosovës ishin realistë, e dinin çfarë do të kërkonin dhe çfarë do të arrinin. Analisti nga Tetova tha se Maqedonia realisht nuk ka pasur shumë opsione ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës, pasi një e treta e popullsisë së saj janë shqiptarë dhe me siguri Maqedonia do ta njohë ndër të parët këtë shtet të ri. Fundjavë para pavarësisë“Fundjava që po kalojmë është shumë e rëndësishme sepse është një fundjavë para shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, tha Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Sipas tij, janë bërë të gjitha përgatitjet për njohjen e pavarësisë nga 100 shtete dhe se festimi do të bëhet në mënyrë dinjitoze, demokratike dhe tolerante për të gjithë qytetarët e Kosovës. Thaçi tha se të gjitha institucionet vendore dhe ndërkombëtare janë tashmë të njoftuar për datën e shpalljes së pavarësisë, mirëpo ai këtë datë nuk e bëri publike. Mesazhi i takimit ishte se nuk duhet të ketë panik për ndonjë shpërthim të dhunës sepse pavarësia e Kosovës është meritë e 2 milion kosovarëve dhe ajo do të pritet në mënyrën më festive dhe më të pjekur. “Kosova, shtet i qëndrueshëm” “Kosova së shpejti do të shpallë pavarësinë, të cilën do ta njohin një numër i konsiderueshëm vendesh”, dhe nuk pres destabilizim të rajonit”, ka deklaruar zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Kurt Volker. Sipas deklaratave të tij për “Reuters”, “Kosova do të jetë një vend mjaft i qëndrueshëm. Nuk pres që të vijë te ndonjë kataklizëm. Mendoj se shumica e njerëzve në Kosovë dëshirojnë qetësi”, tha Volker, zyrtari amerikan shtoi bindjen se Kroacia, Shqipëria dhe Maqedonia do të marrin ftesë për anëtarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit. Zv/sekretari i shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro-aziatike, Kurt Volker, është emëruar ambasador i ri në NATO, por vendimi ende nuk është konfirmuar në Senat.