E Diel, 1 Nëntor 2026

Islami: S

Kastriot Islami

Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm, Kastriot Islami, thotë se është e nevojshme marrëveshja PS-PD, por në fund mund të jetë e mjaftueshme

Kastriot Islami mendon se qëndrimi i djeshëm i LSI-së shpreh pasigurinë e saj. Në një intervistë për “Korrierin”, sekretari i Çështjeve Zgjedhore në PS daljen e LSI-së nga koalicioni e komenton kështu: “Tregon një farë nervozizmi, që eventualisht mund të lidhet me probleme të identitetit politik dhe të rritjes së pasigurisë në kushtet e forcimit të PS-së dhe të rritjes së mbështetjes për të”. Por ai shtoi se kjo lëvizje nuk do të ketë impaktin e paramenduar dëmtues ndaj PS-së. Pas mbështetjes së Cekës ndaj qëndrimit të LSI-së dhe idesë së koalicionit “E majta për integrim”, mund t’i bashkëngjiten këtij koalicioni edhe parti të djathta, dhe Islami  nënvizon se tashmi në kampin e majtë për ndonjë parti ka qenë gjithnjë thjesht pragmatik. “Kohët e fundit duket të jenë shtuar oshilacionet pragmatike deri në ndryshim krahu. Tipike të “kapërcimit të ylberit politik” për politikën shqiptare do të mbeten “Laço-partia” dhe “Partia e Xhuvelit” dhe si individ “Sali Rexhepi”. Megjithatë, Islami shprehet se socialistët nuk përjashtojnë askënd nga marrëveshja për reformën zgjedhore ndërsa shton: “Marrëveshja PS-PD është e nevojshme dhe fillimisht e pamjaftueshme, por “in ekstremis” mund të rezultonte relativisht e mjaftueshme”, shprehet ai. Bisedoi Ilir Saqellari -A po punohet për një marrëveshje me PD-në, marrëdhënie e cila sipas disa aktorëve, lë jashtë partitë e tjera? “Partia Socialiste ka një platforme të reformës zgjedhore. Një nga kapitujt e saj më të rëndësishëm quhet “Teknologjia e qasjes”. Në të ndër të tjera thuhet se, “është e domosdoshme që përmbajtja e kësaj reforme të shoqërohej me një teknologji qasjeje, e cila do të garantonte arritjen e saj të suksesshme”. Disa nga parimet mbi të cilat do të ngrihej teknologjia e qasjes do të ishin: i) Ndërtimi i platformës bazohet në a) analizë, b) përcaktim objektivash dhe c) zgjidhjesh opsionale, ii) Vendimmarrja politike: Platforma kthehet në qëndrim të PSSH-së përmes vendimmarrjeve në forumet përkatëse në PSSH, iii) Bashkëveprimi prioritar me aleatët: mekanizmat e bashkëveprimit me aleatët do të jenë a) konsultimet, b) bashkërendimi i vlerësimeve, c) përcaktimi i qëndrimeve politike eventualisht të përbashkëta, iv) Konsultimet: Konsultime profesionale do të kryhen gjithashtu me a) ekspertët të PSSH-së jashtë forumeve, b) ekspertë të jashtëm vendas e të huaj, c) anëtarët e institucioneve të specializuara për zgjedhjet; v) negocimi me PD-në dhe aleatët e saj: mbetet i rëndësishëm ky bosht negocimi, mekanizmi dhe formati duhet të jenë fleksibël, sepse pa të reforma nuk mund të kryhet (do të aplikohet parimi “Mirëkuptimi është i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm, por në rastin ekstrem mund të jetë minimalisht i mjaftueshëm”. vi) Forumi i drejtimit të procesit: Kryetari dhe kryesia drejtojnë/orientojnë procesin dhe përcaktojnë çështjet për informim dhe vendimmarrje; vii) roli i AKS: Kryetari e kryesia vendosin për çështjet parimore për të cilat informohet dhe merr vendime AKS. Pra, PS-ja po tenton për një marrëveshje politike mjaftueshmërisht përfshirëse për reformën zgjedhore me të gjithë partitë, por prioritare mbetet kryerja e reformës përmes vendimmarrjes së Kuvendit dhe jo obstruksionizmi me gjithëpërfshirjen për të ruajtur informalitetin dhe deformimin politik. Të gjithë janë të ftuar të bëhen pjesë e procesit, askush nuk është përjashtuar, por as nuk mundet që si alibi, askush nuk mund të ketë obstruksionizmin dhe gjithëpërfshirjen. Ndonëse obstruksionizmi i matur e deri në një farë mase do të ishte i kuptueshëm, përderisa bëhet fjalë për konsolidim të sistemit politik dhe synim të një qeverisje të qëndrueshme. Më duhet të përsëris, se marrëveshja PS-PD është e nevojshme dhe fillimisht e pamjaftueshme, por “in ekstremis” mund të rezultonte relativisht i mjaftueshëm”. -A është normal qëndrimi i LSI-së, koalicioni “E majta për integrim” dhe akuzat e para ndaj PS-së? “Fillimisht më duhet të pohoj që ky është qëndrim i një partie tjetër, që nuk do të takonte mua të vlerësoj apo gjykoj. Por, meqenëse bëhet fjalë për koalicionin dhe siç thoni ju bëhet fjalë për akuza ndaj PS-së, po artikuloj qetësisht që, së pari, PSSH-ja mbetet e qetë dhe konsekuente në veprimin e saj politike, qoftë për sa i përket “Dialogut me Shqipërinë”, qoftë forcimit të strukturave të saj politike-elektorale, qoftë marrëdhënieve me aleatët e koalicionin, por mbi të gjitha, lidhur me kryerjen e reformave integruese. Së dyti, për sa i përket reformës zgjedhore, PS-ja mbetet e interesuar dhe e angazhuar me prioritet për kryerjen e saj sipas objektivave dhe parimeve të përcaktuara në platformën e saj të reformës zgjedhore. Së treti, PS-ja si forcë përgjegjëse dhe e vendosur që synon fitimin e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2009 nga e majta, nuk mund zhvendosë vëmendjen dhe veprimet e saj nga ky objektiv. Së katërti, PS-ja e konsideron bashkëpunimin dhe ndërtimin e koalicioneve parimore e programore të qëndrueshme e afatgjatë, pjesë të filozofisë dhe politikës së saj të re, moderne e integruese, përfshirëse e luajale. Bazuar në këto, mendoj se veprimi është minimalisht i nxituar, emocional dhe joracional. Tregon një farë nervozizmi, që eventualisht mund të lidhet me probleme të identitetit politik dhe të rritjes së pasigurisë në kushtet e forcimit të PS-së dhe të rritjes së mbështetjes për të. Po ashtu, kjo lëvizje shfaqet si mungesë vizioni dhe veprimi në panik, me faktor sukses/rrezik shumë të ulët. Sidoqoftë, e përsëris, është një vendim sovran i forumeve të saj. Besoj se nuk do të kishte impaktin e paramenduar “dëmtues” mbi PS-në, as në veprimin e saj politik dhe as në përmasën e saj politike e elektorale. Për më tepër që e majta është në opozitë dhe efekti i paramenduar “dëmtues” duhet pjesëtuar me tre, po të krahasohet me atë që ndodh kur një grupim është në qeverisje. Pra, nuk më duket të ketë efekt as edhe si shantazh”. Veç LSI-së ka edhe qëndrime të tjera, si Neritan Ceka që fton madje edhe parti të tjera të jenë pjesë e koalicionit të iniciuar nga LSI-ja, ndërsa mendon se pas zgjedhjeve lokale, nuk ka koalicion mes PS-së e partive të tjera... “Atashimi në koalicionin e majtë për ndonjë parti apo individ ka qenë gjithnjë thjesht pragmatik, për më tepër që kohët e fundit duket të jenë shtuar oshilacionet pragmatike deri në ndryshim krahu. Tipike të “kapërcimit të ylberit politik” për politikën shqiptare do të mbeten “Laço-partia” dhe “Partia e Xhuvelit” dhe si individ “Sali Rexhepi”, jo pak raste këto nga Parlamenti aktual. Shumë nga lëvizjet e fundit duken pjesë e këtyre oshilacioneve. Nuk dua të besoj se kjo do të lidhej me çorientim të theksuar identitar ose reduktim të përmasës elektorale. Në një plan të përgjithshëm e parimor, mundet ta klasifikoja ndonjërin nga këto veprime, të arsyeshëm e realist, në linjë me strukturimin elektoral e politik të spektrit partiak përmes konsolidimit të sistemit politik dhe eliminimit të informalitetit politik. Prologu i sistemit të ri zgjedhor mesa duket, ka filluar të ndikojë pozitivisht e të japë efektet e para pozitive”. saqellari@korrieri.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›