E Diel, 1 Nëntor 2026

Ofensivë diplomatike serbe

Boris Tadic dhe një peshkop serb

Serbia lutet: Mos e njihni pavarësinë e Kosovës!

Me këtë titull shprehet shtypi kanadez lidhur me kërkesën e ambasadorit serb në Kanada, për mosnjohjen e shtetit të ri të Kosovës. Njohja e Kosovës si shtet i pavarur është një precedent me rrezik mbarëbotëror”, - është shprehur Dusan Batakoviç, me shpresën se Otava nuk do të ndjekë shembullin e fuqive të tjerë perëndimorë, të cilët e kanë njohur tashmë pavarësinë e Kosovës. “Ne mendojmë se zgjidhjet demokratike përmes kompromisit dhe negociatave janë e vetmja zgjidhje e problemit”, - vazhdoi ai. Deklarata e Batakoviç duket krejt absurde, në një kohë kur populli serb i është “vërsulur” dhunës, me qëllimin e vetëm për të bindur ndërkombëtarët se pavarësia e Kosovës është shkaktare e këtij tensioni, që në të vërtetë ata vetë po prodhojnë në Ballkan. Ambasadori i dëshpëruar i ka kërkuar një takim liderit liberal kanadez, Stéphane Dion, i cili i ka kërkuar qeverisë kanadeze të njohë shtetin e ri ballkanik, ashtu siç kanë bërë SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia. Po dje, presidenti serb, Boris Tadiç, zhvilloi një takim kokë më kokë me presidentin rumun, Trajan Bashesku, vendi i të cilit është një prej të anëtarëve të paktë të BE-së që ka vendosur të mos njohë pavarësinë e Kosovës. Sipas kreut serb të shtetit, kjo gjë tregon se në BE nuk ekziston një qëndrim kompakt në lidhje me çështjen e Kosovës. Tadiç tha se Serbia do të vazhdojë të luftojë përmes linjës paqësore në mbrojtje të interesit të integritetit territorial të vendit të tij dhe nuk do të hyjë në luftë. “Por ne do të forcojmë besueshmërinë dhe influencën tonë në Ballkan”, tha presidenti serb në konferencën e përbashkët për shtyp me kreun e shtetit rumun. Tadiç theksoi gjithashtu faktin, se Serbia nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës, por në të njëjtën kohë nuk do të heqë dorë nga e ardhmja e saj evropiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›