Islami: Sistemi proporcional rajonal forcon elitat politike
• Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Kastriot Islami, shpjegoi risitë e sistemit proporcional spanjoll.“Sistem rajonal: vendi ndahet në disa rajone dhe brenda çdo rajoni konkurrimi bëhet proporcional. Në një rajon si qarku i Kukësit, nëse PD merr 50%, do të ketë 3 deputetë PD dhe 2 deputetë PS-ja. Kështu kalojmë nga konkurrimi një emëror në konkurrimin me lista shumë emërore të renditura”, tha Islami. Sipas tij, “ky sistem ruan elitat, pra ruhen kapacitetet intelektuale, por sjell dhe elita të reja”. “Nëse në qarkun e Tiranës do të kemi 30 deputetë, çdo parti do të paraqesë listën me 30 deputetë, me emrat dhe renditjen e tyre ku votuesi do të kishte përballë partinë politike, programin e saj dhe listën me 30 kandidatë”, tha Islami. Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore dha dje dhe mënyrën e ndarjes së mandateve në një qark. “Nëse një parti ka marrë 16 deputetë në një qark, atëherë 16 të parët e listës së paraqitur nga lista e partisë do të jenë deputetët e ardhshëm të Kuvendit të Shqipërisë”, tha Islami. Sipas deputetit socialist dhe sekretarit për çështjet zgjedhore, kalimi nga sistemi maxhoritar që aplikohet sot dhe ku zonat ngjyrosen me ngjyrën e partive që fitojnë aty, në sistemin e ri proporcional rajonal bëhet një shpërndarje më e mirë e votave dhe vlerësimit të tyre, duke bërë që çdo votë të llogaritet drejt”.