E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Jo sistemit spanjoll, Shqipëria nuk ka separatistë”

• Kreu i LSI-së, Ilir Meta, u shpreh edhe dje kundër sistemit zgjedhor spanjoll, duke e argumentuar me tiparet e ndryshme mes Shqipërisë dhe Spanjës.Aristir Lumezi“Varianti për të cilin PS-PD kanë rënë dakord që më parë, sistemi spanjoll, është krejtësisht një variant ‘sui generis’ në sistemet proporcionale, që është bërë për kushtet e Spanjës për të shmangur dhe dekurajuar përfaqësimin e forcave separatiste në parlament”, tha Meta. Sipas tij, “është e rëndësishme që sistemi të jetë i ndershëm, që do të thotë ose maxhoritar i pastër, gjë që nuk është një preferencë e jona por që në çdo rast parimisht dhe realisht është shumë i ndershëm, pasi ky lloj sistemi, që gjoja është i familjes proporcionale që realisht nuk është i tillë, por synon krijimin e një sistemi jo dypartiak, por të dy individëve”. Kreu i LSI-së e cilësoi komplot ndaj demokracisë dhe zgjedhjeve të ndershme sistemin që dy partitë kryesore kërkojnë të aplikojnë në zgjedhje. “Kemi të bëjmë me një komplot të dy partive në prapaskenë me qëllimin e vetëm që PS-ja dhe PD-ja të sigurojnë përfitime të pandershme në një sistem, që synohet të paraqitet si novitet për politikën shqiptare, por që në fakt është një sistem që nuk ka asnjë lidhje me Shqipërinë”, u shpreh Meta. Kreu i LSI-së denoncoi mungesën e transparencës nga ana e dy partive të mëdha. “Ne kundërshtojmë mungesën e transparencës lidhur me reformën zgjedhore. Lidershipet e dy partive kryesore e kanë arritur prej disa muajsh këtë marrëveshje që në thelbin e saj ka avantazhin e pandershëm të PS dhe PD, në raport me sistemin e ri zgjedhor në vend dhe kjo është në kurriz të barazisë së votës të zgjedhësve shqiptarë”, shtoi Meta. Kreu i LSI-së edhe njëherë dje insistoi për listat e hapura duke i cilësuar ato më demokratike ku vota e qytetarit është vlerësim i drejtpërdrejtë i kandidatëve. “PD-PS kërkojnë lista të mbyllura, ku për çdo rajon paraqitja e deputetëve është e fiksuar dhe pavarësisht preferencave që do të kenë qytetarët, asgjë nuk do ndryshojë pasi radha e tyre e kualifikimit është paracaktuar. Pra, kryetari i partisë është ai që ka bërë radhën e deputetëve në lista”, theksoi Meta. Sipas tij, “varianti që partitë e vogla kërkojnë ka të bëjë me mundësinë e zgjedhjes së qytetarëve, jo vetëm për partinë apo koalicionin, por edhe brenda një partie apo koalicioni midis kandidatëve të tij. Kjo do të thotë që i pari, që do jetë vendosur në listën e kandidatëve të mos marrë votat e duhura për t’u bërë deputet, ashtu siç përcakton lista e mbyllur”. Kreu i LSI-së nuk i ka kursyer akuzat ndaj kreut të PS-së, Edi Rama. “Mendoj që lidershipi i PS po ndjek një kurs shumë të rrezikshëm për standardet e zgjedhjeve në Shqipëri dhe po rrezikon rëndë fitoren e të majtës në zgjedhjet e ardhshme, duke braktisur me ndërgjegje platformën e bashkëpunimit të koalicionit, duke shkelur të gjitha pikat e protokollit për reformën zgjedhore të firmosur nga të pesta forcat e majta opozitare”, u shpreh Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›