Mediu: Grupe në PD kanë interesa personale
• Aleati më afërt i kryeministrit Berisha, Fatmir Mediu është pozicionuar dje kundër qëndrimit të PD-së, lidhur me reformën zgjedhore.Kreu i republikanëve, duke folur në një konferencë për shtyp tha se, brenda forcës më të madhe të koalicionit të djathtë grupe të caktuara duan ta përdorin reformën zgjedhore për qëllime personale. Mediu shtoi se, i ka kërkuar kryeministrit Berisha që të mbajë qëndrim jashtë ndikimit të këtyre grupeve, të cilat sipas tij, janë shfaqur me të njëjtat qëllime edhe në periudhën e zgjedhjes së presidentit. “Ka grupe të qëllimshme brenda Partisë Demokratike apo edhe të partive të tjera që e shikojnë reformën zgjedhore thjesht dhe lidhur vetëm me interesin e tyre personal dhe kjo do të ishte një fatkeqësi e madhe. I kam kërkuar dhe i kërkoj kryeministrit Berisha që natyrisht të mbajë një qëndrim jashtë këtyre interesave të vogla, të cilat u shfaqën edhe gjatë zgjedhjes së Presidentit të Republikës. E rëndësishme për qeverinë është që të vazhdojë punën në bashkëpunim me koalicionin për interesa të shqiptarëve, pasi anëtarësimi në NATO është një qëllim shumë i madh që del jashtë njerëzve të vegjël”, u shpreh kreu i republikanëve, njëherësh ministër i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Aleati i demokratëve, i kërkoi të gjitha partive të vogla që të dalin me një propozim konkret përsa i përket reformës zgjedhore dhe të mos presin dy bashkëkryetarët, Ilir Rusmalin dhe Kastriot Islamin për të mbledhur komisionin e posaçëm. “Partitë jashtë PD e PS në qoftë se kanë objeksione duhet të fillojnë të dalin me qëndrime të qarta për reformën zgjedhore dhe të mos presin që dy kryetarët që rrinë ulur gjithë ditën me njëri- tjetrin për interesat e tyre, shikojnë e mbledhin apo nuk e mbledhin këtë komision. Ne kemi të drejtën e iniciativës ligjore, do apo s’do Islami me Rusmalin t’i paraqesim Kuvendit të Shqipërisë iniciativën ligjore të deputetëve për ndryshimet që duhen për reformën zgjedhore”, theksoi më tej Mediu. Sipas kreut të PR-së “po t’i shikosh njerëzit që pretendojnë sot, qoftë në PS, qoftë në PD, në pjesën e tyre më të madhe nuk e kanë ditur ku është dera e PS-së apo e PD-së. Dhe as nuk e kanë ditur ndoshta se çfarë është politika deri në vitet 1996-1997. Ata u futën në struktura nëpërmjet mbështetjes së lidershipit, morën pozicionet drejtuese dhe sot janë bërë të mëdhenj për shkak të mbështetjes së lidershipit aktual të partive të tyre dhe jo për shkak të kontributeve të tyre politike. Si edhe shumë të tjerë, le ta provojnë njëherë të dalin në konkurrim dhe të krijojnë parti politike”. a.sh