E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: Skema e PS-së për të thyer bojkotin

Deputeti “Do futen të enjten në seancë, betohen dhe dalin sërish”

Deputeti socialist, Kastriot Islami, pjesë e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe, zbuloi dje një skenar të kësaj partie për të hyrë në Parlament. Sipas tij, në selinë rozë ekziston një plan, i cili pritet të realizohet ditën e enjte. Islami tha se në seancën e radhës pritet që deputetët socialistë të shkojnë në Kuvend e të kryejnë betimin, të mbajnë një fjalim për situatën, si dhe të bëjnë një propozim ligjor për hapjen e kutive. “Pra ky është skenari që javën e ardhshme, të futen, të bëjnë një fjalim, të propozohet një draft ligj-special për hapjen e kutive apo për investigimin e fletëve dhe të dilet me idenë që kjo nuk quhet ndërprerje e bojkotit, kjo quhet vazhdim i bojkotit, por me një skenar qesharak”, tha Islami gjatë një interviste në “Alsat”. Deputeti socialist sqaroi se lideri i PS-së ka dëmtuar seriozisht imazhin e partisë që drejton. Madje, një skenar që do e dëmtojë akoma më shumë këtë imazh është ai që selia rozë ka për 6 marsin, ditën kur zyrtarisht skadojnë mandatet e deputetëve. Referuar deklaratës se dy ditëve më parë nga Presidenca e OSBE-së, Islami vuri në dukje se Edi Rama nuk ka shumë arsye për të qenë i kënaqur nga deklarata e shefit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Joao Soares. Sipas Kastriot Islamit, ajo që zyrtari i lartë i OSBE-së ka thënë, në fakt është një shuplakë e fortë për politikat bojkotuese të shefit të opozitës. Madje, deklarata e tij përputhet plotësisht me ato që deputetët e kundërshtarë të Ramës kanë deklaruar gjithë këtë kohë. “I lëviznin sytë më shumë se sa duhej. Nuk ishte i qetë. Rama mbrëmë ishte vërtet shumë i shqetësuar, sepse realisht ajo ishte një shuplakë e gjithë skemës që ka ndjekur Rama deri tani. Atë që kemi thënë ne para 6 muajsh, ekzaktësisht, pa asnjë presje ndryshe, atë ka thënë zoti Soares”, tha Islami. Sa u përket shanseve për zgjedhjet e parakohshme nëpërmjet presioneve në rrugë, për Islamin nuk ekzistojnë. Detyra e momentit e kreut të opozitës, në vlerësimin e tij, është të mos kthejë PS-në në një parti restorantesh e hotelesh, por të riformatojë koalicionin. “Ky lloj hendeku ndodh në qoftë se e majta qëndron e përçarë sikurse ndodhi në 2005-n dhe në 2009-n, ndërkohë që në 2007-n u bashkua dhe tregoi gjë tjetër. Në qoftë se nuk do të ndodhë kjo gjë, atëherë e majta nuk ka shanse të fitojë dhe nuk ka asnjë sistem elektoral t’i nxjerrë fitues në qoftë se janë të përçarë”, tha Islami. Deputetët e LMN-së kanë intensifikuar mjaft qëndrimet dhe deklaratat e tyre ndërsa po afron data 4 mars, e cila është seanca e fundit brenda afatit gjashtëmujor që kanë deputetët socialistë për të bërë betimin. Nga ana tjetër, mazhoranca ka bërë me dije se nëse deputetët e opozitës nuk betohen, mandatet e tyre digjen dhe pjesë e Parlamentit bëhen të gjithë ata kandidatë për deputetë poshtë vijës së fituesve.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›