E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Islamikët duhet të qetësojnë fanatikët”

Autori i librit “Të jetosh në ishull” Ben Blushi, reagoi dje lidhur me kërcënimin ndaj tij dhe gazetarit Arian Çani, pasi ai promovoi veprën e deputetit socialist.

Fatos Mahmutaj

“Eshtë efekt i krijuar nga shoqatat islamike që reaguan në mënyrë primitive dhe agresive kundër librit tim. Mendoj se është detyrim i tyre të qetësojnë anëtarët fanatikë”, pohoi dje Ben Blushi, autori i librit që shkaktoi debate pas botimit të tij pak javë më parë. Pas publikimit të lajmit për kërcënimin e Ben Blushit dhe gazetarit Çani, reaguan dje edhe besimtarët myslimanë. Duke shfrytëzuar momentin e pranisë së një numri të konsiderueshëm besimtarësh për shkak të faljeve dhe lutjeve të ditës së premte, predikuesit kryeqytetas pohuan se Blushi dhe Çani tentojnë të arrijnë pozitën e shkrimtarit iranian Selman Rushdie, i cili është dënuar me vdekje në mungesë, nga regjimi i vendit të vet për shkak të shkrimeve antifetare.
Kërcënimi
Gazetari Çani, drejtues i emisionit televiziv “Zonë e lirë” mori dy ditë më parë një letër kërcënuese në adresë të tij dhe Ben Blushit. Shkak për këtë është bërë promovimi i librit të ish-gazetarit dhe politikanit Blushi. Autori pretendon në letrën kërcënuese se quhet Alli Alldir, të paktën nga emri duket se, i përket prejardhjes myslimane. Adresa e marrësit është televizioni “Vizion Plus”, në të cilin transmetohet emisioni i Çanit, ndërsa dërguesi pretendon se e ka dërguar nga qyteti Savona i Italisë. Por, ndryshe nga kjo në zarf ka vetëm vula të filialit të kryeqytetit të postës shqiptare. Nga vulat mësohet se, letra ka kaluar në postën e kryeqytetit më datë 6 maj, ndërsa i është dorëzuar gazetarit Çani, drejtues i emisionit “Zonë e Lirë” dy ditë më parë. Mesazhi kërcënues është shkruar me mjaft gabime drejtshkrimore në pak rreshta në një fletë formati A4. Ajo që të bie në sy që në fillim të letrës, veç gabimeve drejtshkrimore, është shkrimi i fjalëve arabe ashtu siç shqiptohen, çka të çon në dyshimin se letërshkruesi nuk mund të jetë një besimtar praktikant i fesë islame, qoftë edhe fillestar.
Letra
Letra nis me adresën e marrësit: “Tv Vizion Plus, Zonë e Lirë, Arian Çanit, Tiranë”. Ndërsa në tekstin hyrës i drejtohet autorit të librit dhe gazetarit Çani, ku i thuhet se, pak ditë më parë ka promovuar librin e Blushit. “Në libër flitet kundër Allahut... etj. Prandaj me të marr këtë letër të thërrasësh libërshkruesin dhe t’i komunikosh se në emër të Allahut është i dënuar fizikisht. Por edhe ata që e ndihmojnë. Ata... Qofshin këta myslimanë apo të tjerë”, thuhet në mesazhin kërcënues, tonet e të cilit më pas ashpërsohen, ndërsa shkruhet me shkronja kapitale: “Për të fituar lekë Çani nuk fyhet Allahu. Prandaj përgënjeshtro para popullit çfarë ke bërë. Letra është e keqe, por edhe vdekja ashtu është. Allahu qoftë me ne dhe urdhri i tij do zbatohet”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›