E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi shkarkon prokurorin e Kavajës,kërkoi ryshfet për uljen e dënimit

TIRANE – Prokurori i denoncuar për korrupsion nga emisioni televiziv “Fiks fare”, u shkarkua dje nga Presidenti i Republikës Bamir Topi.

Dekreti për shkarkimin e tij mban numrin 5714 dhe gjen mbështetje në Kushtetutë, në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Në nenin 1 të dekretit, kreu i shtetit ka firmosur se zoti Musa Malkurti, prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë, shkarkohet nga detyra. Ndërsa në nenin dy pohohet se, dekreti hyn në fuqi menjëherë. Prokurori i Kavajës, Musa Mulkurti u denoncua në muajin shkurt të këtij viti në emisionin televiziv, teksa kërkoi para në këmbim të një pretence të ulët për një të akuzuar. Mulkurti ishte filmuar, ndërsa bënte pazare lekësh në shuma të mëdha me një qytetar, i afërmi i të cilit ndodhej në gjykim në Gjykatën e Kavajës dhe pas prishjes së pazareve e ngriti pretencën në 10 vjet burg. Pas kësaj, Prokuroria e Përgjithshme e pezulloi nga detyra duke i hapur rrugë hetimit të tij nën akuzën “korrupsion pasiv të prokurorëve”, si dhe Njësia Kundër Krimit Ekonomik dhe korrupsionit në Prokurorinë e Tiranës regjistroi ndaj tij një procedimin penal. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›