Islanda në BE, Austria vë veton
Politika e Jashtme austriake vendos veton në lidhje me përfshirjen sa më të shpejtë të Shqipërisë dhe Kroacisë në negociatat më të afërta me Bashkimin Europian. Ka qenë vetë ministri federal i Punëve të Jashtme të Austrisë, dr. Michael Sindelegger, që ka vendosur kushtet për Islandën. Shtypi austriak, Televizioni Publik Austriak ORF, Agjencia Austriake e Lajmeve APA, si dhe media austriake: gazetat "Die Presse", "Heute" etj., kanë komentuar gjatë dy ditëve të fundit këtë deklaratë zyrtare të ministrit federal të Jashtëm të Austrisë, dr.Michael Sindelegger, në lidhje me preferencën e politikës së jashtme austriake kundrejt Bashkimin Europian për të përfshirë sa më shpejt, mundësisht në negociatat e afërme të anëtarësimit me Islandën edhe Kroacinë dhe Shqipërinë. Gazeta austriake, "Heute", e datës 28.07.2009, boton në shkrimin e saj: Ministri federal i Punëve të Jashtme të Austrisë, dr.Michael Sindelegger, është shprehur gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në Vjenë, se negociatat e Bashkimit Europian me Islandën, në lidhje me kërkesën e kësaj të fundit për anëtarësimin në Bashkimin Europian duhet të zhvillohen vetëm me kusht që në këto negociata mbi kërkesën e pranimit në Bashkimin Europian, së bashku me Islandën të përfshihet edhe Kroacia me Shqipërinë. Në datën 23 korrik, në Stokholm, ministri i Jashtëm i Islandës, Osur Skarfedinson, ia dorëzoi dokumentin për anëtarësim ministrit të Jashtëm suedez, Karl Bild, vendi i të cilit aktualisht kryeson presidencën e BE-së. Parlamenti i Islandës, një javë para kësaj kohe, votoi në favor të anëtarësimit në bllokun 27 anëtarësh. Ky hap erdhi pasi ekonomia e Islandës u zhyt në recesion global. Për çështjen e anëtarësimit të Islandës duhet të vendosin gjithashtu edhe qytetarët e saj përmes referendumit, ndërsa BE-ja duhet ta miratojë anëtarësimin. Bashkimi Europian pranoi pak ditë më parë në Bruksel aplikimin e Islandës për anëtarësim, ndërsa zvarritja e procesit zgjedhor bëri që shqyrtimi i aplikimit të Shqipërisë të shtyhet. Këshilli i Ministrave të Jashtëm europianë i kërkoi komisionit që të përgatisë opinionin mbi aplikimin e Islandës për statusin kandidat. "Unë shpresoj që të ecim përpara me të gjitha çështjet për zgjerimin, që kemi në tavolinë. Për Islandën nuk kemi të bëjmë me rrugë më të shpejtë, por me një rrugë më të shkurtër, pasi ata janë tashmë pjesë e tregut unik dhe e zonës ‘Shengen‘. Ne do t‘i hedhim hapat një nga një. Siç e dini, kemi dhe aplikimin e Shqipërisë, me të cilën nuk kemi mbërritur ende aty ku duhet", ka deklaruar ministri i Jashtëm suedez, Karl Bild. Në deklaratën përfundimtare, ministrat e Jashtëm evropianë shprehen se BE do t‘i kthehet shqyrtimit të aplikimit për anëtarësim të Shqipërisë, pasi të ketë përfunduar procesi i zgjedhjeve në vend. "I nisëm gjithashtu mesazh të qartë Shqipërisë, se aplikimi i saj do të shqyrtohet sapo të jetë kompletuar procesi zgjedhor në atë vend dhe ne sot mirëpritëm sërish perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor", ka deklaruar Cecilia Malmstrom, ministrja suedeze për Çështjet Europiane. Sipas presidencës suedeze të BE-së, Islanda jo vetëm i ka plotësuar kriteret ekonomike e politike të Kopenhagenit, por dhe i ka tejkaluar ato. Negociatat për anëtarësimin e Islandës do të fokusohen në politikat e peshkimit, i vetmi problem që paraqet ky vend nordik ndaj disa shteteve europiane për shkak të konkurrencës.