E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ padit 30 komisionerë për zgjedhjet e 28 qershorit

Bazuar në Kodin Zgjedhor dhe shkeljet që janë vërë re, KQZ ka dorëzuar kallëzimet në prokuroritë përkatëse të rretheve ku janë vënë re problemet. Kallëzimet përfshijnë komisionerë të niveleve të ndryshme që nisin nga KZAZ-të, KQV-të dhe deri te Grupet e Numërimit të Votave. Burime nga ky institucion konfirmojnë se komisionerët e tri qendrave të votimit të Qarkut Fier janë paditur për shkak se kanë kryer vepër penale duke mos kryer funksionet e tyre për organizimin e zgjedhjeve në këto qendra. Sakaq janë vërë re shkelje të rënda të kodit si në Korçë e Vlorë, duke rrëmbyer vulat, apo rasti i kutisë 3052 në KZAZ-në 19 në Qarkun e Fierit etj. Sipas rasteve, ligji parashikon penalizim me gjoba, apo edhe burg nga gjashtë muaj deri në dy vjet. Veç komisionerëve, janë me dhjetëra krerë të njësive vendore që nuk i kanë përmbushur detyrimet ligjore. KQZ-ja ka depozituar ankimimet përkatëse për ta, pasi nuk e kanë përmbushur detyrimin për dorëzimin e listave të zgjedhësve, çka e çoi në limitet e fundit kohore procesin e prodhimit të fletëve të votimit. Burimet zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konfirmojnë se pasi të ketë një hetim administrativ, bazuar në nenet 168, 169, 170, do të bëhen depozitimet pranë organeve të drejtësisë, ose në rrethet përkatëse apo Prokurorinë e Përgjithshme. Pjesa e 13-të e Kodit Zgjedhor në nenet 168, 169, 170, parashikon të gjitha përgjegjësitë që mbajnë personat e ngarkuar me administrimin e zgjedhjeve, ku thuhet se kjo përgjegjësi është e karakterit penal dhe administrativ. Kështu, një komisioner mban përgjegjësi nëse lejon që të votohet më shumë se një herë në të njëjtat zgjedhje. Kjo përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose heqje lirie deri në tre muaj. Ndërsa neni 170 parashikon braktisjen e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve. Në të thuhet se braktisja e detyrës, pa shkaqe të ligjshme nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve, anëtarët e grupeve të numërimit apo vëzhguesit, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose heqje lirie nga gjashtë muaj deri në dy vjet. Neni 171 parashikon sanksionet administrative, ku penalizimi është me shumë lekësh. Kur një komisioner nuk ka kryer vepër penale, gjobat variojnë nga 3000 deri në 90000 lekë. Por nëse sekretari i KZAZ-së ose i KQZ-së shkel nenet 34 dhe 41, atëherë po ky nen parashikon gjobë nga 30000 deri në 60000 lekë, ose burgim deri në 6 muaj. Penalizohen edhe ata persona të ngarkuar nga ky ligj me përgatitjen dhe miratimin e listave të zgjedhësve, kur përfshijnë në këto lista të dhëna të rreme, ose kur lënë pa përfshirë zgjedhës. Ata përgjigjen penalisht në bazë të nenit 186 të Kodit Penal.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›