E Shtunë, 31 Tetor 2026

Malaj: Vizioni për Partinë Socialiste

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, deklaron se do të zyrtarizojë kandidimin për kryetar të Partisë Socialiste më 29 gusht në sallën e Kongresit të Jashtëzakonshëm. Në një intervistë për "Shqip", Malaj sqaron se në thelbin e platformës së tij do të synohet një parti politike me demokraci të brendshme dhe institucione të brendshme sa më të forta dhe sa më bashkëkohore. Malaj kundërshton idenë e një lideri me pushtet absolut në emër të përgjegjësisë absolute të humbjes, por institucione partiake me autoritete të qarta dhe të imponueshme, që e lehtësojnë fitoren. Duke shpalosur disa prej pikave të asaj çka mund të cilësohet platforma "Malaj" për drejtimin e Partisë Socialiste, anëtari i kryesisë thotë se këto nuk do të jenë deklarata festive në kongres, por propozime konkrete për të ndërhyrë në Kushtetutën e partisë dhe në skemën e saj organizative. Malaj shpreh bindjen se kjo do të jetë një garë midis kolegëve potencialisht partnerë për sfidat që ka Partia Socialiste dhe vendi ynë. Në asnjë moment, ngul këmbë Malaj, ajo nuk do të jetë një garë që nxit tensione dhe përplasje. Malaj jep një mesazh për aktorët dhe faktorët brenda selisë rozë, teksa thotë se "kjo garë s‘duhet të prodhojë një krizë, por një rilindje shpresash dhe optimizmi për sfidat e së ardhmes. S‘kam qenë dhe nuk do të jem në asnjë garë që konceptohet "luftë" edhe midis kolegëve".

Zoti Malaj, a i qëndroni deklaratës suaj për të kandiduar si kryetar partie, pavarësisht zhvillimeve në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare?

Nuk është hera e parë që e shpreh publikisht se politikën e shikoj si mundësi ambiciesh pozitive dhe jo thjesht si një vend të rehatshëm mbijetese parazitare. Shpresoj shumë që angazhimi dhe përkushtimi me disa mandate partiake si kryetar i grupit parlamentar, anëtar i kryesisë prej vitit 1997, deputet i Partisë Socialiste në 4 legjislatura dhe në zona të ndryshme elektorale, kandidat për kryetar Bashkie në Vlorë në sfidën e vështirë të korrikut 1992, të jenë gurët realë të kredibilitetit politik për të qenë realist në ambiciet brenda forcës sime politike. Shpresoj shumë që performanca në mandatet qeverisëse tri herë ministër i Financave dhe një herë ministër i Ekonomisë, nxjerrja e vendit nga kriza e rëndë e vitit 1997, hartimi dhe implementimi i strategjive të suksesshme për rimëkëmbjen dhe zhvillimin e vendit, të jetë prova reale e përgjegjshmërisë qytetare dhe politike për t‘i shërbyer atij. Jo pa punë dhe pa sakrifica jam munduar që angazhimit tim politik t‘i bashkëngjis edhe atë akademik, duke ndjekur nga afër debatet dhe strategjitë më të mira për sfidat ekonomike që ka vendi. Ndjekja e programeve në universitetet më të mira, angazhimi si profesor për integrimin europian në universitete të ndryshme, pjesëmarrja aktive në debate publike në mediat vizive dhe të shkruara, kanë qenë pjesë e përgjegjësisë për të kontribuar pozitivisht në sfidat e vendit tim. Unë i dua, i vlerësoj dhe i respektoj njerëzit. U jam shumë mirënjohës për mbështetjen që më kanë dhënë në momente jo të lehta të karrierës sime politike. U jam shumë mirënjohës socialistëve që më kanë besuar dhe më kanë mbështetur në sfidat e mia në mandatet politike në parti dhe në mandatet qeverisëse.

Meqenëse vazhdoni t‘u qëndroni deklaratave tuaja të para pak ditëve, kur do e shpallni zyrtarisht kandidaturën tuaj zoti Malaj?

Për ambicie dhe sfida kaq të mëdha nuk punohet as një muaj dhe as një vit. Ato mund të jenë reale dhe të mundshme kur për to punon çdo ditë të angazhimit tënd publik dhe politik. Nuk punohet çdo ditë për të arritur me çdo kusht një post të caktuar partiak apo qeveritar, por punohet çdo ditë dhe me shumë përkushtim për të konsoliduar vlerat më të mira njerëzore dhe cilësitë më të mira të një lideri që e bën një karrierë në rritje një proces gradual dhe të natyrshëm. Ky proces duhet të jetë sa më normal dhe kurrë një luftë midis kolegësh, plot prapaskena dhe intriga. Për mua është shumë impresionuese thënia e Theacher: "Nuk kam parë njeri që të jetë në majë pa punuar shumë. Kjo është receta më e mirë, që gjithmonë, edhe kur nuk të çon në majë, të çon shumë afër saj". Shpallja zyrtare e platformës për kandidim do të bëhet në përputhje të plotë me statutin e Partisë Socialiste, pra në datën 29 gusht në Kongresin e Jashtëzakonshëm. Ndërsa investimi konkret për një mbështetje sa më të mirë publike është një proces i përditshëm dhe i përhershëm.

A mund të na thoni se cilat janë pikat ku do të mbështetet platforma juaj përballë elektoratit socialist?

Për platformën jam duke punuar me një grup kolegësh dhe dashamirësish, që ajo të jetë sa më konkrete, sa më realiste, lehtësisht e aplikueshme, e monitorueshme nga votuesit dhe opinioni publik. Në thelbin e saj kjo platformë do të synojë një parti politike me demokraci të brendshme dhe institucione të brendshme sa më të forta dhe sa më bashkëkohore. Jo lider me pushtet absolut në emër të përgjegjësisë absolute të humbjes, por institucione partiake me autoritete të qarta dhe të imponueshme që e lehtësojnë fitoren. Këto nuk do të jenë deklarata festive në kongres, por propozime konkrete për të ndërhyrë në Kushtetutën e partisë dhe skemën e saj organizative. Momenti i dytë do të jetë filozofia e zgjerimit të aleancave brenda spektrit politik, me faktorët socialë, sindikatat, konfederatat, grupet e ndryshme sociale, komunitetin e biznesit, studentët etj. Zgjerimi i aleancave politike, forcimi i kredibilitetit të këtyre aleancave dhe koalicioneve, rritja e efikasitetit politik të tyre, do të jetë një shtyllë e rëndësishme e kësaj platforme. Qartësimi i vizionit dhe strategjisë së Partisë Socialiste për sfidat afatgjata ekonomike dhe sociale të vendit do të jetë pjesë e rëndësishme e platformës. Qartësimi i strategjisë për rritjen e efikasitetit të opozitës për sfidat e vendit brenda institucioneve kushtetuese dhe përballë mazhorancës në këto institucione është një element shumë i rëndësishëm. Të gjitha reformat kushtetuese që do të realizohen edhe me konsensusin midis mazhorancës dhe opozitës, që nuk duhet konsideruar tabu, në asnjë rast nuk do të pranohet të dobësojnë sistemin demokratik të ndarjes së pushteteve, të balancës dhe të kontrollit të tyre në funksion të parimit themelor: shtet i fortë, me institucione të forta. Këto janë disa momente që do të plotësohen dhe qartësohen nëpërmjet takimeve të drejtpërdrejta me anëtarësinë e Partisë Socialiste dhe në një komunikim publik me transparencë dhe pjesëmarrje në rritje me votuesit shqiptarë, pavarësisht nga anëtarësia apo preferenca e tyre partiake. Profilin, vizionin, programin ekipin partiak dhe ekipin qeverisës të çdo partie politike është mirë që çdo shqiptar ta njohë dhe ta vlerësojë në dinamikë. Do të dëshiroja të qartësoja që në fillim se, çdo aktivitet i paraqitjes se kandidaturës, çdo element i garës konkurruese, do të jetë tërësisht i bazuar në faktin që kjo është një garë mes kolegësh. Kjo do të jetë një garë vizionesh, konceptesh, strategjish dhe ekipesh. Kjo do të jetë një garë midis kolegëve potencialisht partnerë për sfidat që ka Partia Socialiste dhe vendi ynë. Në asnjë moment ajo nuk do të jetë një garë që nxit tensione dhe përplasje midis votuesve dhe mbështetësve tanë në çdo skaj të vendit. Kjo garë nuk duhet të prodhojë një krizë, por një rilindje shpresash dhe optimizmi për sfidat e së ardhmes. Nuk kam qenë dhe nuk do të jem në asnjë garë që konceptohet "luftë" edhe midis kolegëve, që fillon dhe përfundon si një grindje e përhershme, që i shndërron kolegët në "armiq" ndaj njëri-tjetrit, duke krijuar pasoja shumë të rënda për solidaritet dhe përkushtim në Partinë Socialiste.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›