E Shtunë, 31 Tetor 2026

Isli Hidi: Kthimi në Shqipëri, zgjedhja e fundit

Isli Hidi, portieri i Kombëtares shqiptare që e mbylli sezonin te Krivbasi synon të luajë sërish jashtë Shqipërisë. 

JETMIR HALILAJ

 28-vjeçari zhvilloi një sezon shumë të mirë në kampionatin ukrainas, por kontrata e tij me Krivbasin skadoi pak ditë më parë. Gardiani synon të rinovojë kontratën, ose të transferohet sërish në një ekip të huaj.
Luajtët thuajse një sezon si titullar te Krivbasi, si do ta vlerësonit eksperiencën tuaj në Ukrainë?
Si hera e parë që ishte, unë mendoj se gjërat shkuan shumë mirë. Padyshim që në fillim e pata të vështirë, por me kalimin e kohës dhe padyshim me ndihmën e Bulkut, Bylykbashit dhe Ndrekës, arrita të përshtatesha mjaft mirë. Duhet të pohoj se futbolli atje ishte i një niveli më të lartë se në Shqipëri dhe nuk ishte e lehtë të siguroje një vend titullari. Ia dola mbanë, luajta thuajse të gjitha takimet që nga minuta e parë. Një eksperiencë e vlefshme.
Cila ishte pritja që bëtë gjatë këtij sezoni, të cilën nuk do ta harronit asnjëherë?
Ka pasur disa të tilla, të cilat më kanë mbetur në mendje, por mendoj se një pritje kundër Arsenal Kievit ka qenë vërtet e pabesueshme. Ne barazuam 0-0 në transfertë dhe ata patën një mundësi të jashtëzakonshme për të shënuar në fund të takimit. Një nga lojtarët e tyre e gjuajti fort topin, të cilin në fillim e grushtova, por ai u përplas në shpinën e një prej shokëve të mi dhe u kthye sërish me shumë forcë drejt portës time. As vetë nuk e di si e bëra, por e devijova sërish topin. Ata të Arsenalit vunë duart në kokë, kur e pashë në mbrëmje ishte vërtet për të vënë duart në kokë, sepse edhe vetë më dukej e pabesueshme.
Ju kishit nënshkruar një kontratë 1-vjeçare dhe tani jeni sërish lojtar i lirë. Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?
Dua të luaj sërish në një skuadër të huaj. Me Krivbasin jemi ende në bisedime dhe nëse arrihet një marrëveshje, mund të rinovoj. Megjithatë, jemi ende në pritje, pasi skuadra do të ketë pronarë të tjerë vitin e ardhshëm dhe duhet të shohim edhe qëllimet e presidentit të ri. Unë jam i gatshëm të bisedoj, megjithatë nuk i dihet. Ajo që mund të them tani për tani është se synoj të luaj sërish jashtë Shqipërisë edhe për disa sezone.
A keni pasur oferta nga klube të tjera?
Kam pasur disa kontakte, por nuk dua të përmend emrat e klubeve, pasi jemi vetëm në fillim të merkatos dhe pazaret janë gjithnjë të paparashikueshme.
Tirana është një opsion për ju?
Sigurisht që është. Tirana mbetet si një familje për mua dhe mendoj se do të kthehesha pa problem në këtë skuadër. Megjithatë e përsëris, shpresoj që të luaj në një ekip të huaj të një niveli të mirë, pasi kjo do të më vlente shumë.
A ndikon Kombëtarja në zgjedhjen tuaj?
Sigurisht. Unë shpresoj që një ditë të luaj si titullar. Çdo lojtar e ka një dëshirë të tillë. Tani jam i kënaqur edhe me faktin që jam pjesë e saj. Do të vijë edhe momenti im aty.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›