E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thaçi: Gati për pushtetin e plotë pas 15 qershorit

Institucionet në Kosovë po përgatiten për të marrë për-gjegjësitë e plota shtetërore që nga 15 qershori, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës. 

 Megjithatë, UNMIK-u ende nuk e di se çfarë roli dhe përgjegjësie do të ketë administrata e OKB-së në Kosovë pas 15 qershorit. Më 22 maj në Nju Jork, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s do të kërkojë nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Mun të sqarojë çështjen e kompetencave të pushtetit në Kosovë, pas 15 qershorit, kur hyn në fuqi Kushtetuta e Kosovës. Mediat e huaja vlerësojnë Ban Ki Mun do ta ketë të vështirë t'i japë një përgjigje të saktë sekretarit të përgjithshëm të NATO-s për këtë çështje. NATO dëshiron që të ketë një qartësi të plotë të kompetencave. Kjo qartësi duhet të ekzistojë sa i përket kompetencave të bashkësisë ndërkombëtare, përkatësisht misionit EULEX dhe UNMIK-ut, i cili ende nuk ndihet nëse do të largohet krejtësisht apo do të qëndrojë edhe më tej në Kosovë, me detyra dhe kompetenca të reduktuara. Kosova tashmë është shfaqur në gatishmëri të plotë për të qeverisur mbi këmbët e veta. Kryeministri Hashim Thaçi tha dje se institucionet e Kosovës do të ushtrojnë autoritetin e plotë shtetëror në gjithë territorin e vendit. Sipas Thaçit, i gjithë procesi i tranzicionit dhe kalimit të kompetencave nga administrata e Kombeve të Bashkuara tek institucionet e Kosovës, do të jetë i koordinuar dhe harmonizuar me bashkësinë ndërkombëtare. "Po i afrohemi 15 qershorit, kur do të futet në fuqi Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe natyrisht se do të vazhdohet me funksionimin normal dhe efikas të institucioneve të shtetit të Kosovës në gjithë territorin. I gjithë ky proces është bërë në koordinim dhe harmonim të plotë me autoritetet civile dhe ato ushtarake ndërkombëtare", theksoi dje Thaçi. Kryeministri i Kosovës shtoi se, ka shenja pozitive nga vende të ndryshme se duan ta njohin shtetin e Kosovës. Ai tha se do të ketë edhe një angazhim shtesë lobimi për njohjen dhe theksoi se Kosova pret që donatorët ndërkombëtarë ta mbështesin rimëkëmbjen e Kosovës, si shteti më i ri në botë, edhe në Konferencën e donatorëve, që është paralajmëruar të mbahet në muajin korrik. Thaçi konfirmoi se së shpejti fillon dhe faza implementuese e Planit të Ahtisarit, e cila nënkupton dhe zbatimin e obligimeve që Kosova i ka marrë si shtet para bashkësisë ndërkombëtare. Në kuadër të zbatimit të Planit të Ahtisarit, Presidenti Fatmir Sejdiu ka ftuar dje partitë politike që të bisedojnë edhe mbi procesin e ardhshëm zgjedhor si dhe sistemin që do të aplikohet. Paketa e Ahtisarit parasheh që brenda nëntë muajve pas hyrjes së saj në fuqi, të mbahen zgjedhje të lira në të dyja nivelet. Por, në këtë pikë ka disa mospajtime te partitë në pushtet dhe opozitës, sidomos për zgjedhjet në nivelin qendror. Ndërkohë, ka mbetur edhe një muaj deri në hyrjen në fuqi të aktit më të lartë juridik, Kushtetutës. Për këtë, Qeveria e Kosovës do të procedojë në Kuvend edhe gjashtë deri në tetë ligje që dalin nga paketa e Ahtisarit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›