E Diel, 1 Nëntor 2026

Ismail Kadare, i gëzuar: Dorëshkrimi im u sigurua

TIRANE - Shkrimtari i mirënjohur Ismail Kadare u shpreh i kënaqur nga vendimi që dha dje Gjykata e Tiranës, sipas të cilit dorëshkrimi i romanit "Dimri i madh", që mbahet nga Nexhmije Hoxha prej 40 vitesh, do të vihet në ruajte në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.

"Kjo ka qenë ajo çfarë ka kërkuar avokatja ime. Besoj se është një gjë normale që ndodh në të gjithë botën. Në fillim sigurohet objekti", - tha shkrimtari në një prononcim për "Gazeta Shqiptare". 

Ndërkaq, i pyetur nëse do të kontrollojë për shënimet me rëndësi që gjenden në dorëshkrim, e që sipas tij i mungojnë fotokopjes së origjinalit, Kadare tha: "Po them se po. Nuk e di, nuk e kam menduar. Kryesorja është që dorëshkrimi u sigurua".

Nga ana tjetër, juristja e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Majlinda Tosku tha se nuk ka pasur ndonjë bisedë të drejtpërdrejtë me avokatin e së vesë së diktatorit, zonjën Nexhmije Hoxha për ditën kur do të dorëzohet dorëshkrimi. "Ligji e përcakton se afati për dorëzimin e tij është 5 ditë pas vendimit të gjykatës",- deklaroi Tosku, duke sqaruar më tej se nuk ka një ditë të caktuar se kur duhet bërë dorëzimi.

Ajo u shpreh vetëm se avokati i Hoxhës është treguar i gatshëm për ta bërë këtë dhe se ka deklaruar që dorëshkrimi është mirëmbajtur. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb) Lidhje te tjera Gjykata: Dorëshkrimi 'Dimri i vetmisë së madhe' të ruhet në Arkiv

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›