E Diel, 1 Nëntor 2026

Ismail Kadare merr sot trofeun

 

I shpallur qysh në muajin qershor, shkrimtari shqiptar Ismail Kadare do të marrë sot pasdite trofeun letrar, “Princi i Asturias” për Letërsinë, një nga çmimet me prestigjioze letrare. Ceremonia zhvillohet në Teatrin Campoamor të Oviedo-s në Spanjë, ku shkrimtari shqiptar do të mbajë një fjalim në emër të të gjithë fituesve. Princi i Asturias, Don Felipe de Borbón do të mbyllë këtë ceremoni me një fjalim, që tradicionalisht konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme që ai realizon gjatë vitit. Mësohet se Televizioni Spanjoll dhe Radio Kombëtare e Spanjës do të ofrojnë direkt dhe pa pagesë sinjalin institucional të ceremonisë solemne të dorëzimit të Çmimeve Princi i Asturias.  
Prej dy ditësh, shkrimtari Ismail Kadare ndodhet në Spanjë, ku ka qenë në qendër të vëmendjes së mediave botërore e në veçanti atyre spanjolle, të cilat kanë nxituar t’i marrin atij intervista, jo vetëm rreth çmimit, por edhe rreth letërsisë shqiptare, diktaturës, marrëdhënieve me Enver Hoxhën, për disa vepra të diskutuara të tij, etj. Plot 31 kandidatura nga 25 vende të botës konkurruan për çmimin që fondacioni “Prince of Asturias” ua akordon “atyre personave, institucioneve, puna krijuese ose kërkimore e të cilëve përfaqëson një kontribut të madh në kulturën universale në fushat e letërsisë apo gjuhësisë”.
Pas shpalljes së fituesit, Kadare mori urimet dhe vlerësimet më të mira nga personalitetet më të larta të Mbretërisë së Spanjës. Mbreti Juan Carlos dhe Mbretëresha Sofia e Spanjës, Kryeministri Jose Luis Rodriguez Zapatero dhe Felipe, Princi i Asturias, emrin e të cilit mban dhe ky çmim i dërguan shkrimtarit shqiptar urimet e tyre përmes një letre, ku i shprehnin dhe vlerësimet e tyre mbi veprën e tij, për të cilën fitoi dhe çmimin “Princi i Asturias” për Letërsinë 2009. Siç shprehej juria çmimit Princi i Asturia për Letërsinë, tema qendrore e veprës së Kadaresë, e plazmuar në të gjitha librat e tij, është totalitarizmi, mekanizmat e tij të funksionimit dhe komplicitetet që e bëjnë të mundur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›