Një galeri që lind nga Bienalja
Jo vetëm edicioni më i suksesshëm, por që lindi edhe një ide, e cila ka gjetur një përkrahje të gjerë. Organizatorët e edicionit të katërt të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Tiranës, njoftuan dje mbylljen e këtij aktiviteti, duke e konsideruar si më të suksesshmin. Sipas drejtorit të Bienales, artistit Edi Muka, këtë vit kanë qenë 9-10 mijë vizitorë që kanë ndjekur aktivitetet e Bienales së Tiranës, e cila u zhvillua përgjatë një muaji e gjysmë në ambientet e Hotel Dajtit. Po dje, Muka bëri të njohur një ide që ka lindur mes artistëve pjesëmarrës në Bienale, për ngritjen e një galerie të artit bashkëkohor, të pavarur nga shteti. Sipas tij, kjo ide ka gjetur menjëherë mbështetjen e përfaqësive diplomatike në vend, apo bizneseve. Ende në formën e një ideje, Muka thotë se kjo galeri mund të ishte pikërisht në ambientet e hotel “Dajti”, deri në momentin, që nuk ka një vendim përfundimtar për destinacionin e kësaj ndërtese. Por ka ende kohë deri në gjetjen e vendosjes. Sipas Mukës ishte pikërisht edhe vendndodhja pranë kësaj ndërtese historike që shtoi kuriozitetin e njerëzve për të ndjekur bienalen dhe njëkohësisht të vizitonin ambientet e këtij hoteli, që ndoshta nuk i kishin parë asnjëherë nga afër. Ishte pikërisht kjo ndërtesë që joshi edhe shumë artistë ndërkombëtarë, të krijonin punët e tyre në Tiranë dhe lidhur me hotel “Dajti”-n. Mbyllja e Bienales u shoqërua edhe me një katalog me punimet pjesëmarrëse. Ky katalog është përgatitur në formatin e një gazete, duke iu përgjigjur masivizimit të aktivitetit dhe për të ardhur më thjeshtë tek publiku. Edicioni i katërt i Bienales së Tiranës është kuruar në tre episode të ndryshme, nën drejtimin e pesë kuratorëve ndërkombëtarë. Episodi i parë është kuruar nga Edi Muka dhe Joa Ljunberg (Tiranë/Malmo), episodi i dytë nga Ana Dzokic dhe Marc Neelen (Beograd/Rotterdam) dhe episodi i tretë nga Corinne Diserens (Paris/Berlin). Në këtë aktivitet të rëndësishëm të artit bashkëkohor kanë marrë pjesë me veprat e tyre 60 artistë dhe arkitektë nga 30 vende të ndryshme të botës.