Ambasadori hungarez: Bojkoti i PS-së pengesë për integrimin
Ambasadori hungarez në Shqipëri, Sandor Molnari, tha dje nga Shkodra se bojkoti i opozitës po pengon integrimin e vendit në BE për shkak të reformave të munguara. “Shqipëria po humbet kohë në procesin e integrimit të saj në BE. Shkak për këtë është bojkotimi që opozita po i bën Parlamentit të Shqipërisë”, u shpreh Molnari. Sipas ambasadorit hungarez, përpara interesave të ngushta duhet të vendosen interesat kombëtare. “Dihet se Hungaria është një nga shtetet e BE-së dhe se është e interesuar që Shqipëria të integrohet sa më shpejt në këtë organizëm”, ka vazhduar më tej ambasadori. Por kjo gjë, sipas tij, duhet të arrihet në sajë të një bashkëpunimi mes pozitës dhe opozitës. “Në qoftë se ky bashkëpunim në Parlament nuk ekziston, atëherë po humbisni shumë kohë në integrimin e Shqipërisë”, ka pohuar Molnari. Këtë deklaratë ambasadori hungarez e bëri dje gjatë një veprimtarie të organizuar në qytetin e Shkodrës, me rastin e 63-vjetorit të revolucionit antikomunist që është zhvilluar në Hungari në vitin 1956. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm përfaqësues të pushtetit vendor, të shoqatës me të njëjtin emër, të shoqatës së ish të përndjekurve politikë, qytetarë të thjeshtë etj. Në nderim të kësaj dite nga ana e përfaqësuesve të ambasadës së Hungarisë te pllakata që ndodhet e vënë te postat e qytetit, u vendos edhe një buqetë me lule. r.d.